Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 09:57

Shkup-Një autobus me nxënës shqiptarë të shkollës së mesme të Kumanovës është sulmuar mbrëmë me gurë në fshatin Lubograd.

Nga ky incident siç mësohet dy nxënëse të shkollës së mesme të Kumanovës janë lënduar. Incidenti ka ndodhur rreth orës 19.30, në fshatin Lubograd, kur ishte sulmuar autobusi me nxënësit shqiptarë që po udhëtonin drejt fshatrave të tyre Nikushtak dhe Vishticë.

Shoferi i autobusit në dëshminë e tij të dhënë pranë organeve policore ka thënë se tre persona të panjohur kanë sulmuar me gurë autobusin, me ç`rast nga thyerja e xhamave janë lënduar dy nxënëse.

Drejtori i Spitalit të Kumanovës, Arif Latifi ka theksuar se nxënëset kanë pësuar lëndime të lehta dhe nuk kanë pësuar ndonjë rrezik të madh.

Ky është incidenti i parë që ka ndodhur në Kumanovë javëve të fundit kur kanë shpërthyer incidente ndëretnike kryesisht midis të rinjve në Shkup dhe Tetovë. Fshati Lubograd i banuar kryesisht me popullsi serbe shtrihet në rrugën e vjetër Kumanovë – Shkup. (INA)