Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 09:40

Shkup – Grevë urie e të burgosurve në Idrizovë të Shkupit.

Rreth 40 të burgosur siç mëson “Lajmeshqip”, janë mbyllur në njërën nga hapësirat e burgut dhe nuk pranojnë ndërhyrjen e autoriteteve.

Të mërkurën, ata kanë refuzuar ta pranojnë ushqimin, të revoltuar nga kushtet katastrofale dhe korrupsionin cili mbretëron në “Idrizovë”?

Disa nga “kryengritësit” e burgosur janë transferuar në lokacion të panjohur, që edhe më shumë ka ngritë tensionet mes të burgosurve.

Greva sipas paralajmërimeve do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Kanë qenë madje të kota tentimet që të vihet kontakt me drejtoren e Drejtorisë për kryerje të sanksioneve, dhe askush nuk është përgjigjur lidhur me këtë. “Ne i kërkojmë të drejtat tona, nuk kemi kurrfarë kushte, ushqimi është katastrofal, mjek nuk kemi. Këtu kemi vetëm një çeshmë”, ka thënë njëri nga të burgosurit.

“Në bisedë informative janë marrë 8 veta. Dy orë e gjysmë janë në bisedë, ende nuk kemi ndonjë përgjigje, nëse janë liruar, apo nëse janë dërguar në burgun e Shutkës…Nuk kemi marrë as pije, as ushqimin dhe e kemi blinduar derën”, ka shtuar më tej ai.

”Në një dhomë ka gjithsej 40 veta në 25 metra katrorë. Njerëzit me 9 apo 10 vjet nuk janë lëshuar në vikend. Kanë rast vdekje dhe nuk i lëshojnë në shtëpi. Kërkojnë para që të lëshohen në vikend. Ndërsa, jashtë ka varfëri, a këtu edhe më shumë”, ka shtuar një tjetër i burgosur.