Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 11:02

Favorizohen mediat proqeveritare, ku përfundojnë miliona euro, ndërsa ato me qasje joproqeveritare diskriminohen financiarisht. Shifrat janë tmerruese

Shkup – Vetëm brenda tre muajve të fundit, rezulton se Qeveria e Maqedonisë ka ndarë 2,2 milionë euro për televizionet e afërta qeveritare maqedonase Sitel dhe Kanal5. Sipas televizionit opozitar TV A1, nga arka e buxhetit janë derdhur diku 2,2 milionë euro për emetimin e pesë fushatave qeveritare dhe se kjo shifër ka vlejtur vetëm për një periudhë tre mujore.

Sipas çmimoreve të televizioneve dhe të dhënave të siguruara, për televizionin Sitel janë ndarë 1 milionë e 141 mijë euro, për televizionin Kanal5, 1 milionë e 32 mijë euro, derisa në mediumin më me ndikim А1, kanë përfunduar vetëm 138 mijë euro.

Kryetari i Komisionit Antikorrupsion, Ilmi Selami, ka thënë se harxhimi enorm i parave të buxhetit paraqet korrupsion. “Derisa nuk ndryshohet mënyra e tillë e punës dhe derisa nuk konsultohen ekspertët për mënyrën e tillë të harxhimit të parave, ne si komision vlerësojmë se bëhet fjalë për korrupsion, bazuar në ligj”, ka thënë Selami.

“Ky është një shembull i pastër në atë që do ta kisha quajtur korrupsion, që e kemi parë në shumë vende”, ka thënë, ndërkaq, komunikologu Sead Xhigall.

Opozita në kërkesat e saj ka shtruar edhe çështjen e ndarjes së barabartë të mjeteve financiare të fushatave qeveritare, por që një propozim i tillë është lënë i hapur për t’u shqyrtuar pas zgjedhjeve të parakohshme. Dhe, ashtu që si ofrohen zgjedhjet, sipas ekspertëve, mund edhe të pritet edhe fuqizimi i fushatave qeveritare, që në procesin zgjedhor do të hedhë njollë korruptive. Madje, tre muajt e parë zgjedhorë të 2011-ës, tregojnë se Gruevski nuk ka ndërmend të tërhiqet nga shërbimet e mediave proqeveritare, ku, sipas definicionit, përfundon pjesa më e madhe e kulaçit nga marketingu.

Kjo edhe hap dilemën nëse pushteti me paratë e buxhetit krijon hapësirë për reklamim partiak me dy televizionet, pjesë të koaliconit VMRO-DPMNE.