Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 17:15

Berlin – Procesi i zgjerimit të BE-së po politizohet. Bllokada duhet të mënjanohet. Është legjitime që të rihetohet edhe raporti ndaj Maqedonisë. Nevojitet strategji e re për zgjerimin, konsideron Gernot Erler, deputet në Bundestagun gjerman dhe kryetar i Shoqatës për Evropën Juglindore, e cila në Berlin organizoi konferencë për krizën në Greqi.

“Strategjia evropiane për zgjerim është në krizë. Edhe krahas perspektivave të premtuara evropiane, vendet nga Ballkani Perëndimor më konkretisht po e ndjejnë sindromin e mbingarkesës së Unionit pas zgjerimeve të fundit, por edhe përvojave negative nga Bullgaria dhe Rumania, të cilat e aktivizuan rezervën dhe mosbesimin e anëtareve të vjetra të BE-së. E tërë kjo, përfshirë edhe krizën më të re të euros dhe të Greqisë, i zhvendosën për një afat të pacaktuar kohor horizontin për raundin e ardhshëm të zgjerimit me shtete nga Ballkani Perëndimor”, konsideron Erler.

Ai, transmeton Dojçe Vele, në këtë forum e prezantoi idenë për krijimin e një strategjie të re për zgjerimin e vendeve nga rajoni, me të cilën do të kthehet besimi dhe do të përshpejtohet procesi.

“Për fat të keq pamë se kishte politizim të procesit të zgjerimit. Mendoj konkretisht në kontestin kufitar ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë, por edhe në kontestin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, ku për shkak të parimit të konsensusit, anëtaret e BE-së janë në pozicion më të fuqishëm me ç’rast interesat e këtillë janë instrumentalizuar dhe sjellin pasiguri në tërë procesin e zgjerimit të mëtutjeshëm”, konsideron Erler.

Mënjanimi i bllokadës, sipas tij, do të jetë shumë me rëndësi për zgjidhjen e kontestit për emrin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë.

“Duhet të shihet edhe cilat janë pikëpamjet evropiane. Është interesante që Greqia është në situatë në të cilën i nevojitet ndihmë. Edhe pse kjo nuk duhet të shfrytëzohet, është legjitime që rreth kësaj çështjeje të shikohet edhe raporti ndaj Maqedonisë. Për momentin mendoj se me zgjidhjen e kësaj bllokade, e kjo me të vërtetë është bllokadë, jashtëzakonisht do të kontribuohet për kthimin e besimit në procesin e zgjerimit, me ç’rast të dyja palët duhet të zhvendosen”, thotë Erler, i cili u angazhua për revitalizim të Strategjisë për zgjerim të BE-së, duke nënvizuar se për zbatimin e saj, parakusht është zgjidhja e shpejtë e krizës së euros, me çka do të krijoheshin kapacitete të reja për pranim.