Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 18:00

Shkup- Sërish përçarje mes partive shqiptare në Maqedoni. Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçi përfundimisht ka prishur bashkëpunimin e nisur me RDK-në e Rufi Osmanit dhe kjo është konfirmuar në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë së PDSH-së.

Në mbledhjen e fundit, kryesia qendrore e partisë së Thaçit ka mbështetur qëndrimin e anëtarit të kryesisë dhe deputetit Orhan Ibrahimi, për ndërprerjen e bashkëpunimit me RDK-në e Rufi Osmanit.

Ibrahimi një javë më parë deklaroi se kërkon shqyrtimin e koalicionit me RDK, pas takimit të liderit të kësaj partie Rufi Osmani me kryetarin e komunës së Strumicës, Zoran Zaev, që njëherit është edhe nënkryetar i LSDM-së opozitare.

Numri ‘dy’ i PDSH-së Imer Aliu tha se vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit në mënyrë zyrtare lideri i partisë Thaçi ia ka kumtuar edhe vetë Osmanit gjatë një takimi që është mbajtur ditë më parë.

Në RDK bëjnë të ditur se nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga ana e PDSH-së lidhur me prishjen e bashkëpunimit. Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani mbrëmë për TV Alfa deklaroi se për hir të interesave shqiptare dhe me synim të bashkëveprimit opozitar kishte pranuar të ulet dhe të shprehet i gatshëm për bashkëpunim me PDSH-në. Ai mbrëmë deklaroi se nuk ka marrë ndonjë konfirmim nga kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi për prishjen e koalicionit.