Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 09:30

Përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucionet e shtetit, ka përplasur partitë politike në Shkup. PDSH-ja e Menduh Thaçit në opozitë, akuzoi BDI-në se po lejon pastrimin e institucioneve nga shqiptarët. Deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi, hodhi poshtë pohimet e një dite më pari të zëdhënësit të BDI-së Bujar Osmani, i cili tha se në disa institucione shtetërore, 50% nga punësuarit janë shqiptarë.

Deputetit PDSH-istë, tha se raporti vjetor i avokatit të popullit ku zyrtarisht thuhet se 500 institucione janë pa asnjë shqiptarë, përgënjeshtron të dhënat e publikuara nga zëdhënësi i BDI-së.

Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së:
“A me të vërtetë BDI mendon se shqiptarët janë të përfshirë me 50 për qind dhe se këtë do ta besojnë shqiptarët . Po ju ilustroj të vërtetën me disa të dhëna zyrtare që dalin nga Avokati i Popullit. Në Ministrinë e Shoqërisë Informatike 0 për qind, në MPB në njësitë speciale 0 për qind, në administratën e Gjykatës Supreme 0 për qind, në zyrën e Avokaturës shtetërore 0 për qind. Ka edhe më shumë institucione të tjera që kanë 0 për qind përfaqësim të shqiptarëve”.

Zëdhënësi i BDI-së në pushtet, Bujar Osmani, tha se kjo parti për 10 vite ka përmirësuar dukshëm përfaqësimin e shqiptarëve nëpër institucionet e shtetit. Ai foli edhe për raportin e Avokatit të Popullit.

Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së:
“Nuk kemi institucion qendror në të cilin numri i shqiptarëve është nën 10 %, kurse sa iu përket spekulimeve kinse në Maqedoni paska institucione me 0% shqiptar , kjo është një e pavërtetë shkaku se ata janë institucione lokale në Maqedoninë lindore dhe e njëjta ndodh me institucionet lokale në Maqedoninë perëndimore”.

Mirëpo, këto të dhënat e zëdhënësit të BDI-së Bujar Osmani, nuk korrespondojnë me shifrat e publikuara në raportin e Avokatit të Popullit. Opozita shqiptare vlerëson se BDI po manipulon numrin e të punësuarve shqiptarë në institucione.