Lajme Shqip Saturday, 01 December 2012 09:05

Gostivar – Në Maqedoni të premten u përkujtua Mehmet Pashë Deralla, Ministri i parë i Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit. Pranë bustit të kësaj figure, në fshatin e tij të lindjes në Gradec të Gostivarit, kurora me lule kanë vendosur Ministri i Mbrojtjes në Maqedoni, Fatmir Besimi dhe Ministri Forcës së Sigurisë në Kosovë, Agim Çeku.

Deralla u nderuar edhe nga shumë qytetarë e politikan. Për veprën e këtij partioti, folën nipi i tij Berat Deralla dhe nipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina.

“Ministri i parë i Luftës ishte arkitekt i shtetit të parë shqiptarë dhe lirisht mund të themi se arritja e tanishme e anëtarësimit në NATO është meritë e themeluesit të saj Mehmet Pashë Deralla dhe shefi i shtabit Ali Shefqet Shkupi”, tha Berat Deralla, nipi i Mehmet Pashë Derallës.

“Mehmet Pashë Deralla mori pjesë në të gjitha kryengritjet shqiptare dhe po ashtu në 12 gusht 1912 pas çlirimit të Shkupit, përkrah Isa Boletinit Idriz Seferit Bajram Currit, të prirë nga ideologu dhe truri i lëvizjes kombëtare Hasan Prishtina”, tha në fjalën e rastit, Mehmet Prishtina, nipi i Hasan Prishtinës.

Në shenjë respekti për figurën e Mehmet Pashë Dërallës në Pallatin e Kulturës në Tetovë u mbajt edhe një aktivitet përkujtimor, ku morën pjesë delegacione ushtarake nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Këto aktivitete u organizuan në kuadër manifestimeve për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. (LajmeShqip.com)