Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 09:42

Një ditë pasi u shpall teksti fitues për abetaren e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, intelektualët dhe autorët shqiptarë nga Shkupi, kanë shprehur shqetësimin tyre për përjashtimin e nxënësve shqiptare të Maqedonisë nga ky projekt.

Ali Aliu, akademik :
“Mbrëmë dëgjova se është arritur një marrëveshje për një abetare të përbashkët por me këtë rast përjashtohet Maqedonia. Pra kjo abetare do të funksiononte vetëm në Shqipëri dhe Kosovë. Në këtë fushë të komunikimit fatkeqësisht nuk po ecim ashtu siç duhet dhe kjo është mungesë e dijes iniciativave e shqetësimeve të individëve që janë në
këto fusha këtej dhe andej”.

Fejzi Bojku, autor:
“Është absurde që të diskutohet për abetare dhe të mos mendohet edhe për fëmijët shqiptarë në Maqedoni. Por gjithsesi që këto çështje që kanë nga pak edhe ngjyrë politike duhet ti zgjidhin ata që na përfaqësojnë, ata që kanë kërkuar votën tonë”.

Këto komente u bënë në një konferencë për shtyp të mbajtur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë në Panairin e Librit në Shkup, ku kjo ministri me rastin e 100 vjetorit te pavarësisë se shtetit po merr pjesë me një stendë të posaçme.

Në këtë konferencë për shtyp, u kritika edhe heshtja institucioneve të Tiranës lidhur me fyerjet ndaj shqiptarëve nëpër tekstet shkollore të autorëve maqedonas.