Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 14:43

Shkup – Pas caktimit të datës 5 qershor për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni, është marrë të shtunën vendimi që përbërja e tanishme e deputetëve të Parlamentit të shpërbëhet më 16 prill. Pas kësaj date, madje do të mund të fillojë edhe fushata elektorale e partive politike.

Deri më 16 prill, siç bëhet e ditur, Parlamenti pritet të votojë të gjitha pakot e ligjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet, përfshirë këtu kërkesat e opozitës. Ndërkohë, partitë opozitare, mes të cilave edhe LSDM-ja e Branko Cervenkovskit, kanë thënë se do vijojnë bojkotin e Parlamentit.

Edhe qëndrimet e VMRO-së së Gruevskit deri më tani ishin se Parlamenti do të shpërndahet në afat prej dy javësh. “Pasi që sipas ligjeve nuk mund më shumë të vonohet. Në bazë të dispozitave ligjore pas shpërbërjes së Parlamentit në afat prej 45 deri më 60 ditë shpallen zgjedhjet. Por limitet do të shkurtohen për shkak të situatës së krijuar dhe caktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, kanë thënë në VMRO-DPMNE. Dy liderët e dy partive më të mëdha maqedonase Nikolla Gruevski e Branko Cërvenkovski me gjasë u dakorduan që 5 qershori të jetë data kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Por, në tërë këtë lojë me datën e mbajtjes së zgjedhjeve vlerësohet se nuk është konsultuar aspak faktori politik shqiptar, por ata megjithatë, nuk kanë asgjë kundër që 5 qershori të jetë ditë votimesh.

Nga partia e Ahmetit kanë thënë se 5 qershori është tajming i përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. “Me vetë faktin që në vend një kohë të gjatë është krijuar një ambient se mund të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, BDI ka qenë e gatshme që të hyjë në ato zgjedhje kur do që të mbahen. Kurse këto taktizime rreth datës më shumë kanë qenë kontestueshme për opozitën maqedonase. Ne edhe tani po deklarojmë se jemi plotësisht të gatshëm të hymë në zgjedhje dhe të dalim fitues”, ka thënë deputeti i BDI-së thënë Haliti.

Luan Tresi nga PDSH, ka thënë se sa më shpejtë që të mbahen ato aq më mirë do të jetë për shqiptarët. “Për Partinë Demokratike Shqiptarë, (PDSH), sa më shpejtë që të ndodhin këto zgjedhje aq më mirë do të jetë për shqiptarët. Edhe ne do ta përkrahim shpërbërjen e parlamentit sepse ky Parlament një kohë të gjatë ka dëshmuar se është jofunksional, andaj deputetët e partisë sonë e kanë lëshuar punën e tij”, tha Tresi i PDSH-së. Kurse nga Demokracia e Re e Imer Selmanit pohojnë se këshilli drejtues i partisë do të marrë vendim ditën e shtunë. “Këshilli drejtues i partisë do të grumbullohet të shtunën, ku edhe do të dalin me qëndrim të qartë rreth zgjedhjeve”, ka thënë Arjanit Hoxha zëdhënës i DR-së.