Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 15:37

Shkup – Të enjten, 14 prill, është dita e fundit e përbërjes aktuale parlamentare, pasi që për këtë ditë është caktuar seancë plenare në të cilën do të votohet për shpërbërjen e Parlamentit. Një ditë më pas, të premten më 15 prill, kryeparlamentari Trajko Veljanovski do të nënshkruajë vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ato ishin të paralajmëruar të mbahen më 5 qershor.

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Demokracia e Re (DR), do të marin pjesë në seanacën plenare të Kuvendit të Maqedonisë në të cilën do të shpërndahet Parlamenti i Maqedonisë.

Në koordinimin e së hënës të nënkryetarëve të Parlamentit dhe kryetarëve të grupeve parlamentare të kryeparlamentari Veljanovski, janë përcaktuar të gjitha aktivitetet e Parlamentit deri në shpalljen zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme.

“Kemi caktuar ecurinë e punës gjatë kësaj jave deri në shpërbërjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Jemi dakorduar që së pari të gjitha ligjet që janë në lexim të dytë e që kanë të bëjnë me administratën publike të kalojnë procedurat parlamentare”, ka thënë kryeparlamentari Trajko Veljanovski.

Pasi që Parlamenti t’i votojë këto ligje do të vazhdohet me seancën në të cilën në rend dite janë Kodi Zgjedhor, Ligji për deputet dhe ligjet tjera.

Kryeparlamentari Veljanovski, ka dorëzuar propozimin për shpërbërjen e Parlamentit deri te koordinatorët e grupeve parlamentare dhe nënkryetarët e parlamentit dhe gjatë ditës së hënë dhe të martë do të mbledhë nënshkrimet nga të gjithë deputetët dhe grupet parlamentare të cilët duan të nënshkruajnë vendimin për shpërbërjen e Parlamentit.

“Gjatë ditës së sotme (e martë) propozimi për shpërbërjen e Parlamentit do të hyjë në procedurë parlamentare, ndërsa po këtë ditë do të votohen të gjitha ligjet që votohen me votim të dyfishtë duke përfshirë edhe Kodin Zgjedhor, ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhja e kryetarit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor“, ka thënë Veljanovski.

Pas marrjes së propozimit për shpërbërjen e Parlamentit më 14 prill e enjte në seancë plenare parlamenti do të votojë iniciativën.

“Më 15 prill do të nënshkruaj vendimin për zgjedhje të parakohshme, në pajtueshmëri me datën e caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, për të cilën kanë rra dakord liderët e partive politike“, ka njoftuar kryeparlamentari Trajko Veljanovski.

Ai ka apeluar që të gjithë deputetët të nënshkruajnë iniciativën për shpërbërjen e parlamentit dhe deputetët e opozitës të vijnë në seancën plenare ku në rend dite do jetë zgjedhja e kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, pasi që është propozim i opozitës.

Ndërkohë, nga Demokracia e Re (DR), kanë thënë se do të marrin pjesë në seancën plenare ku do të votohet iniciativa për shpërbërjen e Parlamentit.

“Ne nuk do marrim pjesë në seancat ku shumica parlamentare voton për projektet e saj, me qëllim që mos i japim legjitimitet projekteve të hartuesve të cilët nuk morën parasysh kërkesat e DR-së për vendosjen e dialogut politik”, ka thënë Flora Kadriu deputete e DR-së.