Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 18:38

Shkup – Parlamenti i Maqedonisë paralajmërohet të shpërbëhet më 7 prill eventualisht 14 prill, për shkak të disa aktiviteteve brenda Parlamentit.

“Sido që të jetë, zgjedhje do kemi më 5 qershor, ndërsa parlamenti më së voni deri më 15 prill do të shpërbëhet. Pasi që sipas ligjeve nuk mund më shumë të vonohet. Në bazë të diaspozitave ligjore, pas shpërbërjes së parlamentit, në afat prej 45 deri më 60 ditë shpallen zgjedhjet. Por, limitet do të shkurtohen për shkak të situatës së krijuar dhe caktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, kanë thënë në VMRO-DPMNE.

Në BDI-në e Ahmetit thonë se 5 qershori është tajming i përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“BDI pajtohet që zgjedhjet të mbahen me 5 qershor. Ne përshëndesim pajtueshmërinë e arritur për mbajtjen e zgjedhjeve, data nuk është fare problem”, kanë thënë në BDI. Ata nuk deshën t’i komentojnë kërkesat e dy partive tw tjera opozitare shqiptare, Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Demokracisë së Re (DR), mbi Kodin Zgjedhor. Madje, për Demokracinë e Re, (DR) është plotësisht legjitime dhe e drejtë e secilës parti të negociojë ose krijojë koalicione me parti tjera, siç është edhe rasti me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe Partinë për Ardhmëri Evropiane.

“Mirëpo, për ne është e papranueshme që ndryshimi i kufijve të njësive zgjedhore, respektivisht bartja e një numri të votave nga njësia zgjedhore gjashtë në një njësi tjetër të bëhet kryesisht për interesa të ngushta partiake të BDI-së, duke dëmtuar interesin mbipartiak dhe shqiptar – me ndryshimin e kufijve të njësive zgjedhore të rritet edhe numri i deputetëve shqiptarë në Parlament”, ka thënë Abedin Zymberi, deputet i DR-së.

Ai i bëri thirrje BDI-së të dalw dhe të prononcohet para opinionit dhe para shqiptarëve, se cila ishte arsyeja që e nxiti me partnerin e vet, VMRO-DPMNE-në të vendos bartjen e Qendrës-Zhupë dhe disa fshatra të Dibrës nga njësia zgjedhore 6 në atë 5? 
“Unë nuk do t’i kisha komentuar deklaratat ose akuza të asaj natyre, të njerëzve që nuk dinë se çka flasin, të papërgjegjshëm në politikë. Mendoj se këto akuza të Abedin Zymberit janë të pabaza. Ne e arritëm qëllimin dhe iniciativa jonë ka qenë që Qendra Zhupa dhe disa pjesë të Komunës së Dibrës të kalojnë në njësinë numër 5. Edhe nga aspekti etnik edhe nga aspekti i numrit nuk dëmtohet e as nuk shpërblehet as njëra njësi zgjedhore e as tjetra njësi zgjedhore. Në njësinë zgjedhore numër pesë nuk dëmtohet as interesi etnik i shqiptarëve as numri i përgjithshëm as interesi politik”, ka thënë Safet Neziri, deputet i BDI-së.

Koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së vlerësoi se me këtë propozim të BDI-së dhe vendimit të Qeverisë, shqiptarët do të humbin një deputet, ndërsa nëse do të implementohej propozimi i tyre atëherë shqiptarët do të kishin dy deputetë më shumë në njësinë zgjedhore numër 5.

“Nëse Zajazi dhe Osllomej barteshin në njësinë zgjedhore numër 5, numri i deputetëve shqiptarë do të rritej për minimum dy në njësinë zgjedhore numër 5 ndërsa në njësinë zgjedhore numër 6, numri i deputetëve shqiptarë nuk do të zvogëlohej, kurse me këtë lëvizje tani që e bëjnë, numri i deputetëve të komuniteteve tjera do të rritet me plus 1, kurse i shqiptarëve ka shumë mundësi sipas analizave tona në njësinë zgjedhore numër 5 të ulet numri i deputetëve për 1”, ka thënë Imer Aliu, koordinatori i Grupit Parlamentar të PDSH-së.