Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 15:42

Shkup – Qeveria e Maqedonisë së fundmi ka zbardhur ndryshimet dhe plotësimet që do të realizohen në administratën publike me qëllim të rritjes së kualitetit të shërbimeve të administratës, por sipas ekspertëve të euro-integrimeve dhe atyre juridik Qeveria e ka miratuar Strategjinë për reforma në administratën publike duke injoruar vërejtjet e Komisionit Evropian (KE) dhe shumë nga masat të cilët parashikohen të ndërmerren nuk shkojnë drejt përmirësimit të kualitetit të shërbimeve thonë ata.

”Fillimisht do të kisha cekur se vitin e kaluar në dhjetor Qeveria e miratoi Strategjinë për reformë të administratës publike duke mos marrë parasysh shumë nga vërejtjet e KE-së të cilat në formë non-paper iu dorëzuan Sekretarit shtetëror në Sekretariatin për çështje evropiane. KE-ja kërkon që të definohet qartë deri ku do të arrijnë reformat në administratë, të qartësohen procedurat e zgjedhjes apo shkarkimit të administratorëve të cilat sipas tyre Strategjia e Qeverisë ende nuk siguron se ndikimet politike do të largohen”, ka thënë Lidija Dimova nga Qendra maqedonase për edukim evropian.

Kryeministri Gruevski ka paralajmëruar ditë më parë, masa që do të ndërmerren për përmirësimin e kualitetit të shërbimeve. “Qytetarët do të kenë mundësi të shprehin vlerësimin e tyre për personin që punon në sportel nëpërmjet të pajisjeve të specializuara, të cilat do të instalohen para sporteleve të institucioneve dhe do të kenë tre pulla me ngjyra të ndryshme që do të mund të shtypen dhe të japin vlerësimin për punën e administratorit si kënaqshëm, jo të kënaqshëm dhe neutral”, ka thënë Gruevski.

Sa u përket këtyre masave, Fani Karanfillova Panovska nga Instituti Shoqëri e hapur Maqedoni ka thënë se ata janë të planifikuara nga këndvështrimi teknologjik dhe është vështirë të kontrollohet keqpërdorimi i tyre.”Masat të cilat do të ndërmerren , janë më shumë në planin e pajisjeve dhe aplikacioneve elektronike, regjistra elektronikë, baza të të dhënave. Këto manipulime në jetën reale më shumë shkojnë në dobi të aplikimit të “teknologjive të reja” se sa të përmirësimit të kualitetit të shërbimit. Madje me çfarë do të plotësohen këto baza të të dhënave kur e dimë se realisht një numër i madh i këtyre të të dhënave nuk ekziston, duke filluar nga më e thjeshta, sa është numri i saktë i gjithsejtë të punësuarve në administratë. Si dhe kush na garanton se këto pulla të ngjyrave nuk do të keqpërdoren”, ka thënë Panovska.

Por sipas juristes Ana Pavllovska Daneva, testimet e tilla duke mos e definuar qartë kush do t’i përgatit apo si definohet fjala integritet, lënë hapësirë për ndikime politike. ”Ideja nuk është e keqe për të pasur teste psikologjike mirëpo në kushtet tona një gjë e tillë do të paraqiste hapësirë për manipulime dhe keqpërdorime politike. Nëse shkarkimin nga puna e bëjnë personat si sekretari shtetëror i cili është funksionar politik, duke vendosur se administratori nuk është profesional por njëkohësisht duke mos pasur definim të qartë çfarë do të thotë joprofesional, atëherë realisht nuk ka objektivitet në këto procedura.” ka thënë Daneva.

Sipas saj, urgjentisht duhet ristrukturim dhe shkurtim të administratës, gjë që edhe KE-ja vazhdimisht e potencon në raportet e saj. Me masat e reja parashihen gjoba të mëdha nga 1500 euro deri 15 mijë euro për administratorët, përgjegjësit e tyre por edhe ministrat e Qeverisë nëse qytetarëve nuk u ofrojnë shërbime cilësore dhe me kohë. Ligji për administratorë shtetërorë do të duhet të fillojë të implementohet nga prilli i këtij viti. Në dhjetor të vitit të kaluar në Parlament me procedurë të shkurtuar u miratuan ndryshimet në dy ligjet kyçe që rregullojnë punët në sferën e administratës publike: Ligji për organizim të punës së administratës shtetërore dhe Ligji për administratorë shtetërorë.