Lajme Shqip Thursday, 16 August 2012 17:17

Shkup – Presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov ka kërkuar dje që të shqyrtohet keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga ministri Besimi dhe prania e katër pjesëtarëve të uniformuar të ARM-së të hënën në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së.

Qeveria gjithashtu përmes një komunikate zyrtare ka thënë se distancohet nga veprimet e tilla të një ministri dhe se delegacioni i ministrave shqiptarë në mënyrë private ka marrë pjesë në këto homazhe.
 
Disa parti dhe shoqata maqedonas kanë kërkuar përgjegjësi nga Qeveria, por dhe dorëheqjen e ministrit Besimi.

Partitë opozitare LSDM dhe PLD kanë kërkuar dorëheqjen dhe përgjegjësi nga Qeveria. Kësaj kërkese i janë bashkëngjitur edhe Kongresi Botëror Maqedonas, Shoqatave e ish-pjesëtarëve të forcave maqedonase të sigurisë, Forumi për Siguri dhe shoqata tjera.

Por, nga ana tjetër, ministri Besimi dje ka rikonfirmuar se ka qenë pjesë e një delegacioni qeveritar të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Musa Xhaferri dhe se me praninë e pjesëtarëve të ARM-së nuk është shkelur ligji i mbrojtjes. (INA)