Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 13:15

Shkup – Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Abdulkadar Memedi, i cili gjendet në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën “Sfidat e sigurisë në zhvillim dhe qasja gjithëpërfshirëse” e organizuar nga Qendra për studime të Sigurisë George. C. Marshal në bashkpunim me Ministrinë e jashtme federale të Gjermanisë, realizoi takim zyrtar me Sekretarin Shtetëror në këtë Ministri  Uolf-Ruthart Born.

Siç citohet në kumtesën e MPJ-së në takimin që u realizua në Berlin të dy homologët biseduan për situatën aktuale politike në Maqedoni, bashkëpunimin rajonal si dhe marrëdhëniet dypalëshe midis të dyja vendeve. Ata potencuan se marrëdhëniet dypalëshe, sidomos në sferën e ekonomisë janë vazhdimisht në rritje dhe u dakorduan se ka hapësirë për intensifikimin e bashkëpunimit mes të dy shteteve.

Memedi e njohu homologun e tij me prioritetet e politikës së jashtme të Maqedonisë si dhe për reformat e ndërmarra në shtet për proceset eurointegruese etj. Ai nënvizoi se kontesti rreth çështjes së emrit me Greqinë është pengesë e integrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO, duke theksuar se është e domosdoshme të krijohen kushte për tejkalimin e kësaj problematike.

Ai gjithashtu ka prezantuar edhe disa nga zhvillimet e politikës së brendshme të Maqedonisë, duke u ndalur më së shumti te Marrëveshja e Ohrit, e cila është çelësi për një bashkëjetesë të mirëfilltë në një Maqedoni multietnike. Memedi theksoi se partneri shqiptar në koalicionin qeverisës vazhdon me të gjithë kapacitetin e saj ta implementojë këtë Marrëveshje në të gjitha sferat e shoqërisë në Maqedoni.

Memedi ka njoftuar homologun gjerman se Maqedonia është në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërkaq risi e sistemit të tanishëm zgjedhor mund të jetë votimi i diasporës së Maqedonisë.

Ai ka shprehur kënaqësinë se bashkëpunimi me autoritetet gjermane do të jetë në nivelin më të lartë me qëllim që diaspora nga Maqedonia e cila jeton dhe vepron në Gjermani të votojë në mënyrë sa më të lehtë dhe të organizuar.

Sekretari shtetëror në MPJ-në e Maqedonisë, Abdulkadar Memedi ka falënderuar homologun e tij gjerman, sekretarin shtetëror Uolf-Ruthart Born për angazhimin dhe mbështetjen e parezervë që ka dhënë Gjermania ndaj Maqedonisë në të gjitha rrafshet e politikës së jashtme.