Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 21:05

Shkup – “Jemi të gatshëm të organizojmë zgjedhje korrekte dhe demokratike. Komisoni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), gjithnjë me sukses i përfundon zgjedhjet, kështu do të ndodh edhe kësaj radhe”, ka thënë në konferencë për shtyp nënkryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) Subhi Jakupi.

Jakupi ka njoftuar se më 30 mars është kryer transferimi i së drejtës së shfrytëzimit të listës zgjedhore nga Ministria e Drejtësisë në KSHZ. Lista zgjedhore elektronike mund të kontrollohet përmes ueb faqes së KSHZ-së. Në ueb faqe ekziston tab-lista zgjedhore dhe me aktivizimin e saj hapet ueb faqe me udhëzime për shfrytëzim, në të cilën futen të dhënat personale për personat të cilët dëshirojnë të kontrollojnë nëse janë në listën zgjedhore dhe në cilin vendvotim mund të votojnë. Të gjithë personat, ka thënë më tej Jakupi, të cilët nuk mund të gjenden në listën zgjedhore ose kanë probleme me mënyrën e përdorimit të e-listës zgjedhore mund ta kontaktojnë KSHZ-në përmes e-mailit, apo në sektorët rajonal të KSHZ-së, të cilët janë në funksion në kuadër të këtij institucioni nga muaji maj i vitit 2010, ndërsa janë 34 në qytetet më të mëdha. Sipas Jakupit, Maqedonia ka rreth dy milionë shtetas. “Ne i marrim të dhënat nga institucionet relevante dhe nuk mund as t’i zmadhojmë e as t’i zvogëlojmë”, ka thënë ai.

Të dhënat në Listën zgjedhore janë azhurnuar bashkë me 31 janarin e vitit 2010, ndërsa janë regjistruar mbi një milionë e 800 mijë qytetarë. Numri i shtetasve të Republikës së Maqedonisë, sipas tij, është sipas regjistrimit në vitin 2002. Lidhur me ndryshimet e Listës zgjedhore, Jakupi ka thënë se me një pjesë të tyre zbuten problemet e mundshme teknike, të cilat do të paraqiteshin veçanërisht gjatë votimit të diasporës, me çka KSHZ-ja duhet të sjellë edhe akte nënligjore shtesë.