Lajme Shqip Wednesday, 25 July 2012 12:54

Ohër – Sekretari i përgjithshëm i KB-së Ban Ki-mun paralajmëroi se personalisht do të angazhohet te autoritetet greke për përshpejtimin e procesit për zgjidhjen e çështjes së emrit. Njeriu i parë i Organizatës Botërore  pas takimit të sotëm me presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov në Ohër, deklaroi se do të angazhohet edhe për respektimin e aktvendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

“Do të bëjmë përpjekje maksimale që të bisedojmë me autoritetet greke. Menjëherë pas vizitës, do ta dërgoj të dërguarin special Methju Nimic në Greqi që të sqarojë çfarë biseduam këtu. Unë personalisht do të përpiqem ta kontaktoj kryeministrin Samaras që të ndihmoj në përshpejtimin e këtij procesi. Është për keqardhje që dy vende fqinje  nuk arritën tërësisht t’i shfrytëzojnë potencialet e tyre  për bashkëpunim rajonal, pajtim dhe zhvillim. KB do të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre ta lehtësojnë këtë proces. Bëhet fjalë për problem afatgjatë. Jemi të vetëdijshëm për aktvendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do t’i marrim parasysh të gjitha apsektet” tha Ban Ki-mun.

Presidenti Ivanov konfirmoi se në takim janë hapur çështjet për implementimin e Marrëveshjes së përkohëshme me Greqinë dhe aktvendimin nga Haga, si dhe për angazhimin e pritur të KB-së për respektimin e tyre.

“Kërkova që në kontaktet që do t’i ketë me palën greke të kërkojë të respektohet ajo që është e drejtë ndërkombëtare, të respektohet  aktvendimi nga Haga sepse ai është institucion më autoritar ligjor në botë. Çfarë do të bëhet nëse nuk i respektojmë aktvendimet e asaj gjykate. Kërkova që Greqia t’u përmbahet kornizave të parapara me rezolutat e KB-së dhe me Marrëveshjen e përkohëshme.  Fitova bindjen se sekretari i përgjithshëm në rastin e parë do të bisedojë për këto çështje dhe do të kërkojë nga Qeveria e re greke t’i respektojë atë që vullnetarisht e ka marrë si obligim” deklaroi Ivanov.

Sekretari i përgjithshëm i KB-së nga Ohri u nis për në Shkup ku do të ketë takim me kryetarët e Kuvendit  dhe Qeverisë, Trajko Veljanovski dhe Nikolla Gruevski. Ban Ki-mun do të mbajë fjalim edhe para deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë. (LajmeShqip.com)