Lajme Shqip Wednesday, 14 December 2011 08:32

Shkup – Sektori elektroenergjetik i Maqedonisë është në situatë jashtëzakonisht të ndërlikuar, ka probleme serioze dhe do të falimentojë nëse nuk zvogëlohen humbjet në prodhimtarinë dhe konsumin e energjisë elektrike. Shfrytëzimi i linjitit, gazit dhe burimeve ripërtëritëse të energjisë, nga ana tjetër duhet të jetë prioritet.

Ky është konstatimi i seancës së sotme të Asociacionit energjetik të Maqedonisë (AEM) anëtarët e së cilit e shqyrtuan Bilancin energjetik për vitin 2012.

Sipas parashikimeve të AEM-it, konsumi dhe importi i energjisë elektrike deri vitin e ardhshëm do të rriten, ndërsa do të rriten edhe çmimet e të gjitha energjensave për shkak gjendjes së keqe hidrologjike. Është e domosdoshme, u potencua, formimi urgjent i bursës së energjisë, si dhe definimi dhe respektimi i rregullave të tregut.

“Prodhimtaria është pothuajse e pandryshuar, investime nuk ka, ndërsa edhe nëse ka, për realizimin e tyre janë të nevojshme së paku katër vjet”, tha drejtori i ELEM-it, Vllatko Çingovski.

Pjesëmarrja në energjinë elektrike, në pajtim me Bilancin energjetik, mbetet dominues me mbi 40 për qind që në mënyrë të përgjithshme, tha Çingovski, nuk është drejtim i mirë pasi që një pjesë e konsiderueshme e saj fitohet dhe kushton shtrenjtë. Njëherësh, numri më i madh i konsumatorëve dëshirojnë të transferohen nga energjia termike, drunjtë, biomasa dhe ngrohja, në energji elektrike, që do të paraqesë goditje serioze mbi prodhimtarinë, por edhe mbi përçimin dhe distribuimin.

Energjia primare në vitin 2012 do të jetë më e madhe nga ajo në vitin 2011 për 7,6 për qind që është rritje serioze e energjensave dhe nuk mund të kalojë pa impakt serioz mbi çmimet.

“Do të apeloja që në mënyrë të matur të rritet konsumimi i të gjitha energjenseve primare, jo vetëm e energjisë elektrike, pasi që rritja e saj prej 2,2 në vit siç parashihet, do të ketë ndikim serioz mbi prodhuesit”, theksoi Çingovski.

Siç theksoi Dimitar Haxhimishev, drejtor i Ngrohtores dhe kryetar i AEM-it, paskëtaj do të shihen kundërveprimet mbi çmimin e energjisë elektrike edhe nëse funksionon termoelektrana-ngrohtorja “Te-to” SHA Shkup. Problemet kur ka import ndërsa nuk ka prodhim vendor, theksoi janë, të hatashme.

“Importi në vitin 2012 do të jetë afërsisht 3 miliardë megavat, ndërsa në këtë moment është mbi 600. Importi është problem edhe te fqinjët, ndërsa kjo do të thotë se çmimi po rritet”, theksoi Haxhimishev.

Nëse “Te-to” SHA Shkup do të fillojë me punë varet nga kushtet e tregut. Fillimisht, u theksua në seancë, është planifikuar të përfundojnë testet dhe prodhimi testues parakomercial, pas së cilës arsyeshmëria ekonomike duhet të tregojë nëse kapaciteti do të fillojë.

Për ekspertët, linjiti duhet të ketë prioritet mbi të gjitha aktivitetet e tjera në sektor.

Duke u prononcuar për Bilancin, prodhuesit më të mëdhenj theksuan se numrat e dhënë për vitin 2012 janë larg realizimit të mundshëm.

“Sasitë e gazit që janë siguruar për vitin 2012 nga ‘Gazpromi’ janë në nivelin e konsumit që presim të realizohet deri në fund të vitit, 150 milionë metra kub. Duke e pasur parasysh se tregu financiar pëson turbulenca serioze, shpenzime të caktuara janë rritur pothuajse dyfish”, theksoi Zoran Donevski nga “Makpetroli”.

“OKTA” përshtatet sipas nevojave të tregut i cili me siguri, siç tha përfaqësuesi i kompanisë, do të furnizohet me derivate të naftës.

“Në vend që të jetë më i qartë, më i lexueshëm dhe të japë drejtime më të mira, Bilanci përmban shifra të tërhequra prej planeve dhe mendimeve të të tjerëve, të cilat na bazojnë në gjendjen faktike në vend”, nënvizoi Çingovski. Ai sugjeroi më saktë të planifikohet të shmangen importimet e panevojshme dhe furnizimet të cilat rezultojnë me shpenzime më të mëdha dhe të cilat, për fat të keq, reflektojnë mbi konsumatorët final.

Bilanci energjetik, përveç për vitin 2012, përfshin projeksione për nevojat e të gjitha llojeve të energjisë dhe mundësitë për plotësimin e tyre, deri në vitin 2016.

“Konsumi final në vitin 2012 do të shënojë rritje për katër për qind, ndërsa gjatë viteve të ardhshëm, deri në vitin 2016, rritja mesatare është paraparë të jetë 2,2 për qind. Në pjesën e energjisë primare vitin e ardhshëm është parashikuar rritje prej 7,6 për qind, ndërsa deri në vitin 2016 mesatarisht 2,3 për qind”, tha Violeta Keckarovska nga Ministria e Ekonomisë, duke e prezantuar Bilancin.

Në vitin 2012 importimi do të rritët në mënyrë të pakonsiderueshme. Nga importimi do të sigurohen 46 për qind e nevojave, ndërsa nga prodhimi vendor 54 për qind. Pjesëmarrja e burimeve ripërtëritëse të energjisë në konsumin final, nga ana tjetër, deri në vitin 2016 është projektuar në 16,2 për qind që do të thotë deri në vitin 2020 Maqedonia do ta plotësojë obligimin për 21 për qind pjesëmarrje të burimeve ripërtëritëse në konsumin final.

Në seancë u theksua nevoja për laboratorë të pavarur për kontrollin e kualitetit të karburantit, vendor dhe të importuar. Tani për tani funksionojnë dy, Makpetroli dhe OKTA, të cilat janë akredituar dhe të dhënat e të cilave janë relevante.

Nga Ministria e Ekonomisë njoftuan se deri në fund të shkurtit 2012 në kuadër të Rregullores për kualitet, duhet të sillet dekret i cili do të mundësojë monitorim të kualitetit të të gjithë pjesëmarrësve në biznesin e naftës.