Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 11:56

Shkup – Deklaratat që vijnë nga persona zyrtarë aktualë ose të mëparshëm grekë kanë për qëllim disi ta tërheqin vëmendjen nga pakuptimësia e gjithë këtij kontesti, të imponuar nga ana e tyre, potencoi zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane Vasko Naumovski sot me kërkesë të gazetarëve që ta komentojë deklaratën e fundit të Aleksandros Malas, ish-ambasador grek në Republikën e Maqedonisë, se çështja për emrin është çështje e sigurisë kombëtare.

“Pakuptimësia e këtij kontesti të imponuar nga ana e tyre del nga fakti se nuk ka shtet tjetër në botë që quhet Maqedoni, ose ka ndonjë mbiemër maqedonas, maqedonisht…, me të cilin Republika e Maqedonisë do të mund të personifikohet. Ne si shtet as nuk kemi emër tjetër, as si popull nuk kemi pasur në të kaluarën identitet tjetër dhe thjeshtë pakuptimësia e kontestit vazhdon edhe më tej me deklarata të këtilla dhe të ngjashme”, tha Naumovski para fillimit të hapjes së konferencës me temë “BE fonde – strategji komunikuese dhe instrumente”, në organizim të Sekretariatit për çështje evropiane dhe Ambasadës franceze në Republikën e Maqedonisë, në kuadër të Programit për shkollë të lartë administrative.

Ai shprehu bindje se edhe në Greqi një numër gjithnjë e më i madh i politikanëve dhe qytetarëve do të kuptojnë se Republika e Maqedonisë nuk është kurrfarë rreziku për Greqinë. Nga ana tjetër, nënvizoi, ne si shtet dhe si popull, as nuk kemi pasur, as nuk mund të kemi emër dhe identitet tjetër dhe besojmë se me Greqinë do të mundemi bashkarisht të punojmë në të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.

Ambasadori i Republikës së Francës, Zhan Klod Shlumberzhe, gazetarëve ua përsëriti pozicionin e Francës – e dini mirë pozicionin e Francës, bëhet fjalë për kontest dypalësh, tha Shlumberzhe.

Në pyetjen e gazetarëve se cilat janë pritjet nga vizita e ardhshme në Maqedoni dhe takimet me eurokomisarin për zgjerim Shtefan Fyle dhe kryetarin e KE-së, Zhoze Manuel Baroso, zëvendëskryeministri Naumovski theksoi se vizita është pjesë e turneut së tyre dhe aktiviteteve për njohje më të afërt me veprimtaritë që aplikohen në rajonin e axhendës së BE-së.

“Ne do t’ua prezantojmë të gjitha aktivitetet që i zbatojmë. Në vitin 2009 dhe 2010 kemi marrë raporte pozitive, në të cilat rekomandohet të fillohen bisedimet. Negociatat nuk kanë filluar për shkak të bllokadës që na imponoi Greqia. Por, edhe krahas kësaj reformat tona vazhdojnë, por ekziston vetoja, e cila mund t’i parandalojë reformat dhe modernizimin e shtetit tonë”, është decid zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane.

Naumovski shprehu bindje se vizita e Fyles dhe Barozos do të shfrytëzohet edhe nga të gjitha partitë tjera politike që t’ua prezantojnë axhendën e tyre evropiane dhe konkretisht, tha të thonë se si do të kontribuojnë për europianizim të Maqedonisë.

“Procesi i integrimt europian të Maqedonisë nuk është pjesë e axhendës ditore politike, ky është prioriteti ynë strategjik, i cili do të kontribuojë që Republika e Maqedonisë të bëhet shtet modern, nga e cila përfitime do të kenë të gjithë qytetarët pa dallim të orientimit të tyre politik dhe të asaj se për kë kanë votuar në zgjedhjet parlamentare”, tha Naumovski, duke shtuar se pikërisht për këtë që përfitimet nga anëtarësimi i BE-së do të jenë të përbashkëta për të gjithë, duhet të gjitha partitë politike të përpiqen të kontribuojnë për axhendën evropaine.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse pret që të diskutohet për situatën politike në vend dhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ai theksoi se Maqedonia është vetëm një nga vendet tjera, të cilat Fyle dhe Baroso do t’i vizitojnë.

“Edhe me vizitat e kaluara edhe me këtë ato vetëm tregojnë se zgjerimi mbetet i lartë në axhendën e BE-së. Besojmë se do të na mbështesin të vazhdojmë me procresin reformues dhe me të gjitha aktivitetet, të cilat kanë domethënie të standardeve europiane në shoqërinë tonë”, deklaroi zëvendëskryeministri i Maqedonisë i angazhuar për çështje evropiane.