Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 17:58

Shkup – Ashtu siç afrohen zgjedhjet, ashtu rritet edhe tensioni retorik midis partive politike, që është normale për një shtet demokratik para zgjedhjeve të ketë ashpërsim të retorikës.

Ajo që skandalizon procesin zgjedhor është orvatja e pushtetit për të manipuluar me zgjedhjet. Kështu që sipas të dhënave nga Partia Liberal Demokratike (PLD) në listat zgjedhore gjenden shumë adoleshent të lindur në vitin 1993 të cilët deri më 5 qershor kur edhe do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk do të kenë 18 vjet dhe në ë këtë mënyrë sipas Kushtetutës dhe rregullativave ligjore të Maqedonisë nuk kanë të drejtë për të votuar.

“Për fat të keq është më se e qartë se gjithë gjenerata e lindur më vitin 1993 gjendet në listat zgjedhore. Sipas rezultateve të Revizioni Shtetëror, në vitin 1993 janë lindur 32 mijë fëmijë, që mund të kalkulohet se 16 mijë prej tyre gjenden në listat zgjedhore”, kanë sinjalizuar nga PLD e cila ka ngritur iniciativë për këtë çështje deri te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), për shqyrtimin e kësaj gjendje të krijuar me listat zgjedhore.

“Lajmeshqip.com” mëson se gjatë ditës së enjte KSHZ do të diskutojë mbi këtë çështje, për të cilën gjasat janë shumë të mëdha që të ketë epilog pozitiv dhe se KSHZ do të angazhohet në rast se gjen persona të cilët nuk kanë mbushur të 18 vjet të largohen nga listat zgjedhore. PLD nga ana tjetër ka bërë thirrje deri te prindërit e fëmijëve të cilët janë lindur në vitin 1993, të vërtetojnë se gjenden ose jo fëmijët e tyre në listat zgjedhore. Nga KSHZ thonë se punohet intesivisht për organizimin e zgjedhjeve e sidomos atyre në diasporë.

“Punohet çdo ditë më së shumti merremi e organizimin e zgjedhjeve në diasporë. Punohet në hartimin e formularëve, shpalljeve publike etj”, thotë Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.