Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 16:17

Shkup – Në prag të organizmit të zgjedhjeve eventuale të parakohshme parlamentare në Maqedoni, aktuale mbetet problemi i pastrimit të listës zgjedhore. Informacionet të cilat qarkullojnë vite me radhë dhe që kanë qenë të përfshira në raportet e ndërkombëtarëve, flasin se në vend ka mbi 200 mijë vota fiktive të cilat ndodhen kryesisht te vendbanimet e banuara me maqedonas. Kjo sipas demografëve dhe ekspertëve juridikë çdoherë i ka dëmtuar shqiptarët, sepse në kurriz të parregullsive, pala manipuluese, me gjasë ajo maqedonase, fiton në mënyrë plotësuese një numër të konsiderueshëm të deputetëve.

“Dihet se nga 200 deri në 250 mijë votues janë fiktivë në Maqedoni. Një numër i madh i tyre janë emigrantë të cilët gjenden jashtë vendit, asnjëherë nuk vijnë të votojnë, por ende gjenden në listat zgjedhore andaj me votat e tyre bëhet manipulimi. Në mes të tyre ka dhe shqiptarë, por sipas gjitha gjasave pala shqiptare është ajo më e dëmtuara nga këto votues fiktivë”, ka thënë demografi Asllan Selmani.

Për ekspertin juridik, Osman Kadriu, dukuria e tillë negative jo vetëm që dëmton shqiptarët, por e vë në pyetje legjitimitetin dhe ligjshmërinë e zgjedhjeve.

”Nëse kalkulojmë në numra, diku mbi 10 deputetë maqedonas dalin nga ata vota fiktive dhe kjo normalisht që e dëmton palën shqiptare. Është caktuar një komision në Parlament, por vlerësoj së pastrimi permanent nuk duhet lënë komisionit, por është thelbësore që organet kompetente, ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë të kryejnë punën e tyre në mënyrë të rregullt, që mos të kemi manipulime”, ka thënë Kadriu.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Subhi Jakupi ka thënë se procesi i pastrimit të listave është çështje komplekse në të cilën punohet çdo ditë në vazhdimësi.

“Punohet në tri qendrat të cilat janë: Ministria e Punëve të Brendshme, e cila kontrollon personat që plotësojnë kushtet për votues dhe largon ata që humbin të drejtën apo aftësinë e votës. Qendra tjetër është drejtoria për librat amzë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe Enti Statistikor Shtetëror, që bën sublimimin e të gjitha të dhënave, ndërsa ne si Komision i marrim këto të dhëna nga Enti statistikor, të dhëna që vazhdimisht azhurnohen”, ka thënë Jakupi.

Sa i përket dyshimeve për numrin e votave fiktive, Jakupi ka thënë se kjo i takon Komisionit parlamentar që ta vërtetojë.

”Ne nuk kemi mekanizëm të vërtetojmë numrin e saktë të votuesve fiktivë, andaj nuk mund të flasim për numra pa pasur mënyrë të vërtetimit. Komisioni në Parlament është mirë që të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për ta vërtetuar këtë çështje”, ka thënë Jakupi, duke potencuar se KSZH është e gatshme për procesin zgjedhor nëse ai zhvillohet pas dy muajve.

Ditë më parë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria për evidencën amzë dolën me të dhëna se kanë përfunduar azhurnimin e listës zgjedhore nga viti 1950 deri në vitin 1980. Sipas kësaj analize, numri i përgjithshëm i të vdekurve është 4596, prej të cilëve 2419 kanë qenë shtetas të Maqedonisë. (Lajmeshqip.com)