Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 14:25

Shkup – Zgjedhja e tre deputetëve nga mërgimtarët do t’i kushtojë Maqedonisë aq sa do të kushtojë organizimi i procesit zgjedhor për gjysmën nga 120 deputetët e Parlamentit maqedonas apo 60 deputetë.

Siç mëson “Lajmeshqip”, procesi zgjedhor për zgjedhjen e 3 deputetëve nga diaspora do të kushtojë 1 milionë euro. Ndërsa, mesatarisht i tërë procesi zgjedhor Maqedonisë i kushton prej 2.5 milionë deri në 3 milionë euro.

Maqedonia ka gjithsej 45 ambasada dhe konsullata në të cilat duhet të hapen vendvotime për të votuar diaspora. Në të gjitha ambasadat dhe konsullatat thuhet që do të ketë nga dy këshilla zgjedhorë, apo gjithsej në diasporë duhet të formohen 90 këshilla zgjedhorë.

Sipas planifikimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), të dhënat zyrtare flasin se nëpër ambasadat dhe konsullatat maqedonase në diasporë janë nga dy apo tre të punësuar. Kjo nënkupton se në zgjedhjet e parakohshme, kur duhet të votojë edhe diaspora, nga Shkupi duhet të udhëtojnë nëpër shtetet të ndryshme evropiane dhe rreth 130 të punësuar nga MPJ, që të plotësohen këshillat zgjedhorë.

“Ky ligj është garanci për zgjedhje të lira dhe demokratike. Opozita duhet të jetë prezente kur flitet për këtë ligj e jo të jap propozime regresive, siç janë ato mbi këshillat zgjedhorë”, ka thënë Petar Pop Arsov, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Ndërsa deputeti i BDI-së Rafiz Haliti, shfaqi vërejtjet e partisë së tij. Krahas inkorporimit të të gjitha vërejtjeve të OSBE/ODIHR-it në Kodin Zgjedhor, BDI, sipas tij, ka vërejtjet e saj edhe për mënyrën e votimit të diasporës.

“Neni 50 i Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me ftesat zyrtare, me gjuhën, që ato të jenë në gjuhën e vendit ku votohet edhe në gjuhën e maqedonase, është mirë që të jenë edhe në gjuhën shqipe. Ne si BDI do të reagojmë edhe në seancë plenare”, ka thënë Haliti.

Ai ka shtuar se me propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor ka mjaft paqartësi edhe në mënyrën e procedurave të kandidimit të kandidatëve për deputetë nga diaspora.

“Duhet të qartësohet se do vlejnë të njëjtat procedura, ashtu siç vlejnë edhe për ne deputetët vendorë. Po ashtu duhet të rregullohet edhe pjesa e vëzhguesve partiakë, ku do të bëhet verifikimi i tyre. Duhet të përcaktohen edhe vendet ku do të votohet vetëm nëpër ambasada dhe konsullata apo edhe nëpër klube të mërgimtarëve”, ka thënë më tej deputeti Haliti.

”Objektivisht Maqedonia nuk është e aftë të organizojë zgjedhje jashtë vendit. Vërejtje të shumta kemi në organizimin e zgjedhjeve në Maqedoni, e lëre më në diasporë. Kjo do të jetë një mundësi e mirë e partive në pushtet që t’i keqpërdorin ato vota”, kanë thënë në Demokracinë e Re (DR) të Imer Selmanit.

Madje, propozim ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat tashmë janë miratuar nga qeveria dhe janë në procedurë parlamentare, nxorën në shesh shumë paqartësi rreth pjesës ku rregullohet votimi i diasporës. Kështu që, në 3 njësi zgjedhore të ndara, mërgimtarët do kenë të drejtën e zgjedhjes së tre deputetëve. Sipas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në rast se një nga kandidatët merr 51 për qind nga trupi votues i një njësie zgjedhore, ai shpallet deputet, ndërsa në rast se mer më pak se 50 për për qind, në raundin e dytë shkojnë dy kandidatët të cilët kanë marrë më shumë vota.