Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 15:14

Shkup – Pasi që shumica parlamentare të martën mbrëma ka votuar ligjin për interpretimin autentik të ligjit të amnistisë, duke mbyllur kështu rastet e Hagës, familjarët e të rrëmbyerve maqedonas, të revoltuar, i kanë sulmuar verbalisht deputetët e BDI-së.

Ata ditën e kanë kaluar në Parlament, duke pritur Trajko Veljanovskin, që t’ua lejojë që seancën ta ndjekin nga galeria. Por, Veljanovski nuk e ka lejuar një gjë të tillë.

Pas përfundimit të seancës, ata me sharje dhe ofendime i kanë përcjellë deputetët e shumicës, mes të cilëve edhe njërin nga deputetët e BDI-së, Talat Xhaferi.

Ndërkohë, familjarët e të rrëmbyerve maqedonas po protestojnë para qeverisë. Zyrtarisht askush nuk u ka thënë nëse do t’i pranojnë, por thonë se disa herë janë lajmëruar nga VMRO që të mos shqetësohen dhe se takim do ketë.

“Nëse nuk mund të na prese Gruevski, të na pranojë ndonjë këshilltar, Vllatko Ilievski ose shefi i kabinetit Martin Protogjer”, ka thënë Branko Jakimovski. Ai ka thënë se nga Gruevski ose nga këshilltarët e tij pret përgjigje se pse e ka shkelur premtimin dhe, në vend se në gjyq, rastet e Hagës janë zgjedhur në Parlament.

Ndërkohë, nga ana e qeverisë ende nuk ka ndonjë konfirmim nëse do të pranohen familjarët e të rrëmbyerve.

Me 63 vota pro dhe 29 kundër, Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për interpretimin autentik të nenit 1 të Ligjit për amnisti. (LajmeShqip.com)