Lajme Shqip Saturday, 29 December 2012 15:09

SHBA – Ish-zëvendës shefi i CIA-s për Ballkanin, Stiven Majer ka deklaruar se kufijtë në Ballkan akoma janë çështje të hapura, por nuk ka vend më për krijimin e shteteve të mëdha etnike.

“Gjithsesi se janë të mundshme ndryshime të kufijve, por kjo duhet të jetë me marrëveshje, patjetër duhet të jenë pjesë e ndonjë pakoje. Nuk ka asgjë të shenjtë sa i përket kufijve. Megjithatë, tanimë nuk është e mundshme që të kemi Shqipëri të Madhe apo Serbi të Madhe. Kur flasim për ndryshimin e kufijve, nuk mendoj se Ballkani mund të përjetojë ndryshime të mëdha”, ka deklaruar Majer në një intervistë për agjencinë shtetërore maqedonase të lajmeve MIA. 

Si mundësi për ndryshime të mundshme të kufijve ai ka përmendur Bosnjë – Hercegovinën dhe Kosovën, si mundësi për të bërë ndryshime të vogla të kufijve dhe ndarjen e territoreve. Ai ka folur edhe për Maqedoninë dhe mundësinë e ndarjes së saj. “Të gjitha duan copë nga Maqedonia. Bullgarët vlerësojnë se Maqedonia është Bullgari Perëndimore, shqiptarët duan pjesën e tyre, dhe në të kaluarën këtë e bëri Serbia. Por, Maqedonia tani është një vend që vepron shumë me përgjegjësi” , deklaroi ish-zyrtari i lartë i CIA-s për Ballkanin.(B.W/LajmeShqip.com)