Lajme Shqip Monday, 25 July 2011 08:33

Madrid – Mijëra të “pakënaqur” nga e gjithë Spanja morën pjesë mbrëmë në protestë në qendër të Madridit kundër papunësisë dhe krizës ekonomike në vend.

Demonstruesit, mes të cilëve kishte edhe të tillë që deri në Madrid kanë arritur në këmbë qysh të shtunën, u mblodhën në sheshin “Puerta del Sol”.

“Nuk do të paguajmë për këtë krizë”, “Të hyjmë në Kongres”, “Ata nuk na përfaqësojnë”, brohoritën demonstruesit nëpër bulevardet në qendrën e Madridit, duke e shprehur zemërimin kundër politikanëve. Në afërsi të Parlamentit ata hasën në bllokadë policore, por nuk ndodhën incidente.

Lëvizja qytetare “të pakënaqur” u shfaq në muajin maj. Në të janë bashkuar njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore – të rinj, studentë, të punësuar, pensionistë dhe të papunësuar, të cilët protestojnë për shkak të papunësisë, e cila arrin mbi 21 për qind, dhe për pasojat shoqërore të krizës ekonomike.