Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 07:19

Luksemburg – Këshilli kombëtar kalimtar, i formuar nga kryengritësit libianë, dje i akuzoi forcat lojale të liderit Moamer Gadafi se nga fillimi i konfliktit kanë vrarë më shumë se 10.000 njerëz.

“Ne presim nga e mbarë bota mbështetje të plotë për rezolutën 1973 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më së shumti në pjesën e cila ka të bëjë me mbrojtjen e civilëve”, deklaroi në Bruksel përfaqësuesi i Këshillit kombëtar kalimtar Ali Al Isavi, i cili është përgjegjës për punë të jashtme. Ai theksoi se nga fillimi i konfliktit në Libi pjesëtarët e ushtrisë së Gadafit kanë vrarë 10.000 persona, 20.000 njerëz janë shpallur të zhdukur, ndërsa pothuajse 30.000 janë të lënduar.

Për këtë arsye ne dëshirojmë më shumë angazhime për mbrojtjen e civilëve kundër këtij agresioni, deklaroi përfaqësuesi i kryengritësve, i cili paraprakisht u takua me ministrat e Punëve të Jashtme nga BE-ja në Luksemburg bashkë me një përfaqësues tjetër të Këshillit kombëtar kalimtar, Mahmud Xhibril.

Kjo është hera e parë në BE në përbërje të plotë të bisedojë me anëtarët e Këshillit kombëtar kalimtar të kryengritësve libianë.

Në takim Mahmud Xhibri ua prezantoi ministrave evropianë një plan ambicioz për tranzicionin demokratik, i cili parasheh përpunimin dhe aprovimin e Kushtetutës dhe përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, por me kusht Gadafi të tërhiqet nga funksioni.