Lajme Shqip Monday, 19 March 2012 14:30

Bujanovc-Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi kërkon që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të zgjidhet në korrelacion me atë të serbëve të veriut, dhe për këtë çështje ai kërkon ndihmën edhe të Prishtinës por edhe të Tiranës.

Nëse ndërmjet shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe serbëve në veri të Kosovës, krijohen standarde të dyfishta, Kamberi thotë se konfliktet dhe trazirat në Ballkan nuk do të përfundojnë kurrë.

“Pra, nëse aplikohen standardet e dyfishta, atëherë kjo do të jetë një burim i vazhdueshëm i konflikteve në këtë zonë të Ballkanit Perëndimor. Ne mendojmë se vlerat e caktuara të Planit të presidentit Ahtisaari të cilat paraqesin standarde më të larta se ato që i ka Këshilli i Evropës, sa u përket të drejtave të komuniteteve, duhet të jenë të respektueshme edhe në Luginë të Preshevës”, thotë Kamberi në një intervistë për “Zëri”.

Kryetari i Bujanovcit dhe ish-anëtari i grupit negociator gjatë konfliktit në Luginë e ndien veten të izoluar nga marrëveshjet e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Ai thotë se janë shqiptarët e Luginës ata që po e paguajnë “haraçin” e negociatave të Brukselit. Sipas Kamberit, është edhe Qeveria e Kosovës ajo që po i kontribuuan këtij izolimi, sepse me një vendim të veçantë ajo mund t’i heqë tarifat doganore.

Prefekti i Bujanocit gjithashtu i konsideron të panevojshme dhe provokuese zgjedhjet e serbëve në Kosovë, ndërsa e konsideron rrezik permanent që në zgjedhjet lokale shqiptarët të humbasin komunën e Bujanovcit.