Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 19:50

Shkup-Njësitet speciale policore kanë arrestuar një grup maqedonasish nga Radishani, të cilët tentonin të sulmonin në fshatin Luboten. Pamjet që mbajnë datën 13 Prill janë siguruar përmes një video- xhirimi amator, ku shihet se si nje grup të rinjsh maqedonas nën pranga shoqërohet nga njësitet e ndërhyrjes së shpejt të MPB-së.

Pamjet janë në një zonë që gjendet në afërsi të fshatit të pastër etnik shqiptar Luboten. Në këtë video janë regjistruar kërcënime ndaj policisë dhe fyerje vulgare, duke kërkuar lirimin e grupit të të ndaluarve. Burime nga Shkupi thone se pamjet u perkasin disa personave qe protestuan dje per vrasjen e 5 shtetasve maqedonas ne nje liqen nga persona ende te panjohur.

Sot fshati Luboten i Shkupit vazhdon të jetë i bllokuar, pasi në hyrje – daljet të tij janë vendosur forca policore. Në dalje të fshatit është bllokuar rruga kryesore, pasi dje protestuesit maqedonas kanë hedhur zhavor në rrugë, duke bllokuar lëvizjen e plotë të banorëve shqiptarë të këtij fshati.

Këto ngjarje vijojnë pas vrasjes së 2 shqiptarëve nga një polic maqedonas si dhe pas gjetjes së pesë trupave të peshkatarëve maqedonas të vrarë në një liqen në Maqedoni. Ngjarje e rëndë u konsiderua dhe rrahja e disa nxënësve shqiptarë në një krahinë me shqiptarë. Autorët besohet se ishin shtetas maqedonas. Këto ngjarje kanë tensionuar kohët e fundit situatën në Maqedoni. (INA)