Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 16:39

Shkup – Opozita maqedonase, me në krye LSDM-në, ka akuzuar për pazar politik përbërjen e re qeveritare të mandatarit Nikolla Gruevski.

Sipas partisë së Cërvenkovskit kjo paraqet mashtrim ndaj 440 mijë qytetarëve që i dhanë besimin Gruevskit që të ndryshohet diçka.

“Gruevski ka bërë trampë të kolltukëve për gjuhën, vende të ministrive për flamurin, tenderë dhe para për amnisti të kriminelëve ndaj qytetarëve maqedonas”, ka thënë koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Igor Ivanovski.

Por, diskutimi i Ivanovit është ndërprerë nga deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi. Ai, duke replikuar ka thënë se shqiptarët nuk bëjnë pazar për interesat e tyre kombëtare.

“Ndaloni të luani me tema të ndjeshme për të bërë pikë politike, shqiptarët nuk bëjnë pazar me simbolet e tyre kombëtare”, ka thënë Xhaferi. Ndërkohë, sipas Antonio Milloshoskit, kjo qeveri meriton besim pasi që do të vazhdojë me sukseset e filluara.

“Në periudhën e ardhshme vendit i nevojiten njerëz që do ta çojnë atë përpara, e ai është Nikolla Gruevski me ekipin e tij”, ka thënë Milloshoski. (LajmeShqip.com)