Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 15:21

Londër – Zezaku i ri Mark Dagan (29), i cili javën e kaluar u qëllua nga policia, gjatë një operacioni në lagjen londineze Totenhem, ka ndërruar jetë gjysmë ore më vonë, nga plaga prej plumbit, i cili e kishte goditur në pjesën e kraharorit, kumtoi sot hetimi për incidentin tragjik, i cili ndodhi para pesë ditëve.

Ky është rezultati i parë deri më tani nga hetimi, i cili menjëherë u ngrit dhe në të cilin është kyçur kontrolli i brendshëm i policisë Metropoliten. Mediat londineze, paraprakisht, pohuan se qitja vdekjeprurëse është shtënë prej njërit prej policëve, të përfshirë në operacionin për gjetjen e armëve, ndërsa se plumbi tjetër ka përfunduar në radion e automjetit të Daganit, por tani për tani nuk ka detaje të tjera përveç se njeriu ka ndërruar jetë vetëm prej një plumbi. Dëshmitarët pohojnë se disa herë kanë dëgjuar paralajmërim nga policia, ndërsa më pas katër të shtëna.

Ky incident nga e enjtja e kaluar dhe reagimi i ngadalshëm i policisë për kumtimin rreth asaj se çka kishte ndodhur me të vërtetë, ishte shkasi për shpërthimin e trazirave të para rrugore në Totenhem, të shtunën gjatë mbrëmjes dhe natës, të cilat më pas u përhapën nëpër pjesët e tjera të qytetit, ndërsa mbrëmë shpërthyen në vandalizëm të paparë deri më tani, me plaçkitje dhe zjarre, në madje 12 lagje dhe kuarte të kryeqytetit britanik.

Disa nga pjesëmarrësit në trazirat tani flasin edhe për padrejtësitë sociale në shoqëri, por pjesëtarët e komunitetit zezak madje edhe jashtë Londrës, pohojnë se policia është fajtore dhe se duhet ta dënojë fajtorin, duke nënvizuar se ajo edhe më tej të rinjtë zezakë i sheh vetëm si kriminelë potencialë.