Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 15:35

Londër – Lideri i Al Kaedës, Osama bin Laden kishte planifikuar ta vrasë presidentin amerikan Barak Obamën, gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, në vitin 2012, shkruan gazeta britanike “Dejli telegraf”, duke iu referuar të dhënave zbuluese.

Bin Laden ishte i fiksuar me planin për vrasjen e Obamës, për të cilin ka konsideruar se e ofendon fenë myslimane dhe nuk ka mundur ta durojë, duke e parë në televizor.

Video-inçizimet e zbuluara në shtëpi, në të cilën është fshehur Bin Ladeni dhe në të cilën është vrarë në qytetin pakistanez Abotabad, tregojnë se lideri i Al Kaedës e ka ndërruar kanalin televiziv çdo here, kur para ekranit është shfaqur Obama.

“Kjo, me siguri ka qenë shumë personale për Bin Ladenin që ta vrasë presidentin, për të cilin beson se e ofendon fenë myslimane”, vlerësoi ish-funksionari i Byrosë federale për zbulim, Bred Geret.

Sipas tij, lideri i Al Kaedës ka qenë i ashpër dhe i fiksuar me vrasjen e presidentin amerikan, Barak Obama.

Bin Laden, gjithashtu, shumë personalisht i ka përjetuar fushatat ushtarake amerikane në Afganistan dhe në Lindjen e Afërt dhe ka synuar për xhihad kundër Perëndimit, tregojnë informatat, të cilat hulumtuesit i kanë grumbulluar në vendstrehimin e liderit të Al Kaedës, prej ku janë konfiskuara të dhëna në 200 milionë faqe.

Gazeta, duke iu referuar burimeve të CIA-s, thekson se Bin Ladeni, deri në momentin e fundit të jetës, ka bërë plane për sulme ndaj Los Anxhelosit, Nju-Jorkut dhe Londrës, të cilat do të ishin shumë më katastrofale se ato të 11 shtatorit, në vitin 2001. Qëllim i këtyre sulmeve ishte që t’i detyronte forcat perëndimore për tërheqje nga Lindja e Afërt.