Lajme Shqip Wednesday, 02 October 2013 12:23

Athinë- Greqi, prokuroria liron me kusht 3 deputetë të Agimit të Artë

Prokuroria greke vendosi të lirojë më kusht 3 nga deputetët e arrestuar të Agimit të Artë, me akuzën “për krijim të organizatës kriminale”.

Eshtë vendosur liri me kusht për deputetët Ilias Kasidiaris, Ilias Panajotaros dhe Nikos Mihos, ndërsa mbetet në burg vetëm deputeti Janis Lagos.

Në kurriz të Janis Lagos rëndojnë të dhënat nga thirrjet dhe bisedat telefonike të rregjistruara, pas vrasjes së këngëtarit grek, Pavlos Fissas.

Sipas informatave, për Ilias Kasidiaris imponohet një dorëzani prej 50 000 eurosh. Të liruarit me kusht ndalohen gjithashtu të dalin jashtë vendit.

Vendimi erdhi pas një seancë tejet të gjatë dëshmish të 4 deputetëve të sipërpërmendur.

Që nga ora 15:30 e ditës së djeshme dhe gjatë gjithë natës kanë vijuar në prokurori dëshmitë e 4 deputetëve të të arrestuar të Agimit të Artë.

I pari dëshmoi dje deputeti Ilias Kasidiaris, i cili është përgjigjur në mënyrë politike dhe i ka mohuar të gjitha akuzat, duke vënë në dukje se emri i tij nuk përmendet në asnjë nga telefonata e përgjuara.

Pas tij, Ilia Panajotaras ka thënë se prokuroria është politike dhe se provat kundër tyre janë fabrikuar.

Janis Lagos ka deklaruar se ata nuk janë nazistë por grekë nacionalistë. “Ne jemi të interesuar për të mirën e Greqisë. Për organizatën kriminale që pretendon aktakuza asnjëherë nuk ka ekzistuar dhe nuk e njohim”, ka thënë ai, ndërsa Nikos Mihos dëshmoi sot në mëngjes dhe gjithashtu mohoi akuzat ndaj tij. Ndërkohë pritet që sot pas mesditës të dëshmojë kreu i partisë Nikos Mihaloliakos, ndërsa nesër kreu i deputetëve Kristos Papas. /BW/