Lajme Shqip Monday, 12 November 2012 15:43

Athinë – Ligjvënësit grekë miratuan buxhetin e vitit 2013, i cili shkurton shpenzimet dhe ngre taksat në përpjekje për të shmangur falimentimin ekonomik të vendit.
        
Buxheti i vitit të ardhshëm me masat shtrënguese ekonomike përfshin 12 miliardë dollarë shkurtime për pensionet, pagat dhe shpenzimet. Miratimi i tij bëhet disa ditë pasi parlamenti votoi me një shumicë të vogël për masat.
        
Ligjvënëist grekë po u përgjigjen kërkesave të udhëheqësve ndërkombëtarë për këto masa shtrënguese, me qëllim që Greqia të marë një pjesë të ndihmës  prej 40 miliardë dollarësh. Pa huatë ndërkombëtare, vendi nuk do të jetë në gjendje të paguajë këstin në fund të këtij muaji.
        
Dje, mijëra protestues u mblodhën jashtë parlamentit të Greqisë ndërkohë që po zhvillohej votimi. Më shumë se 13 mijë vetë marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit, Athinës, në demostratat që u mbyllën në sheshin kryesor të qytetit.
        
Ministri grek i Financave Janis Sturnaras mbrojti masat shtrënguese të qeverisë, duke thënë se buxheti i vitit 2013 do të shënojë “përpjekjet e mëdha të bëra nga qytetarët grekë, për të kapërcyer situatën e vështirë ekonomike dhe për t’i hapur rrugën një zhvillimi të qëndrueshëm.”
        
Qeveria greke thotë se ligji ishte një hap i rëndësishëm për të bindur kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë për lëshimin e këstit të ardhshëm të huasë prej 31,5 miliardë eurosh.
        
Por partnerët evropianë të Greqisë kanë thënë se nuk janë ende të vendosur për dhënien e këstit tjetër të paketës së shpëtimit. Gjermania, kontribuesi më i madh i këtyre kredive, kishte insistuar se për të krijuar bazën mbi të cilën kreditorët do të mund të marrin vendim për lirimin e fondeve të reja, Greqia duhet më parë të miratonte buxhetin e saj për vitin 2013.
        
Zyrtarët evropianë thonë gjithashtu se u duhet kohë për të studiuar një raport mbi financat publike të Greqisë. Sipas një zyrtari të BE-së, inspektorët e borxhit do t’ua dorëzojnë sot këtë raport ministrave të financave të eurozonës.(LajmeShqip.com)