Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 09:42

Athinë – Liderët e “treshes” që do të përfaqësojnë kreditorët ndërkombëtarë në Greqi – BE, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), arritën sot në Athinë, që t’i ripërtërijnë verifikimet për gjendjen financiare të Greqisë dhe të negociojnë me Qeverinë e re greke për planin evropian të shpëtimit të vendit.

Përfaqësuesit e “treshes” do të bisedojnë edhe me ministrin e Financave, Evengaleos Venizelos dhe do të takohen me kryeministrin Lukas Papadhimos.

Misioni arrin në Athinë, pasi që më herët këtë javë Parlamenti grek i votoi besim Qeverisë së re kalimtare.

Greqia ka nevojë urgjente për zhbllokim deri më 15 dhjetor të transhës së gjashtë, në vlerë prej tetë miliardë euro nga ndihma prej 110 miliardë eurove, të akorduara në vitin 2010 për vendin në suaza të planit të parë të shpëtimit.

Ndarja e transhës është bllokuar për shkak të ngadalësimit të Athinës në zbatimin e reformave dhe rikuperimin e buxhetit.