Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 15:20

Bruksel- Nënshkrimi i paktit buxhetor të BE-së është etapë e rëndësishme për përforcimin e besimit në unionin ekonomik dhe monetar, deklaroi kryetari i Këshillit evropian, Herman van Rompuj.

Rompuj deklaratën e dha pasi që 25 nga gjithsejt 27 liderë evropianë e nënshkruan sot në Bruksel paktin e ri të Unionit për disiplinë buxhetore, që konsiderohet si esencial në luftën kundër krizës debitore evropiane. Dokumentit nuk i janë bashkangjitur vetëm Britania e Madhe dhe Çekia.

Pakti parasheh vendosjen e “rregullës së artë” për baraspeshë buxhetore dhe sanksione automatike ndaj vendeve të cilat e tejkalojnë pragun trepërqindësh të bruto prodhimit vendor (BPV) të deficitit buxhetor vjetor.

“Konsideroj se ky është një sinjal i fuqishëm, se po nxjerrim mësim nga kriza, se i kemi kuptuar sinjalet e dhëna nga tregjet financiare dhe se dëshirojmë ardhmëri me Evropë të bashkuar politike”, theksoi kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Mjo marrëveshje tani duhet të ratifikohet së paku nga 12 vende të cilat e nënshkruan, në mënyrë që të mund të hyjë në fuqi.

Secili shtet nga eurozona, i cili nuk do ta bëjë atë, nuk do të mund të shfrytëzojë ndihmën financiare nga partnerët e vet përmes fondit të ardhshëm shpëtimtar, i cili do të fillojë të veprojë këtë verë, Mekanizmi evropian i stabilizimit.

Ratifikimi mund të komplikohet për shkak të Irlandës, e cila paralajmëroi se do ta vendosë çështjen në referendum. (LajmeShqip.com)