Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 13:43

LIBI – Ambasadori Amerikan në Libi, Chris Stevens, dhe 3 funksionarë të lartë të Konsullatës Amerikane humbën jetën në sulmin që iu bë mbrëmjen e djeshme selisë diplomatikë në Bengazi. Lajmi konfirmohet për ‘Al Jazeera’ nga Ministria e Brendshme Libiane, e cila raportoi për një sulm të armatosur dhe të shtëna armësh në Konsullatën Amerikane nga disa militantë.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan një zhurmë të fortë dhe tym, si dhe shkëmbim zjarri që u dëgjua për rreth 45 minuta edhe pse jo në mënyrë të vazhdueshme.

Qindra manifestues sulmuan Konsullatën Amerikane në qytetin lindor të Libisë, Bengazi, për të kundërshtuar një film, që sipas tyre ofendon Islamin. Filmi i realizuar nga Sam Bacile titullohet ‘Pafajësia e Myslimanëve’, dhe tregon jetën e Profetit Muhamed. 

Demonstrata antiamerikane kundër filmit u zhvilluan edhe jashtë Ambasadës Amerikane në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro. Protestuesit në të dy vendet thonë se filmi i prodhuar në Shtetet e Bashkuara është fyes për profetin Muhamed.

Të paktën 2.000 demonstrues u mblodhën jashtë ambasadës në kryeqytetin egjiptian. Disa protestues hipën mbi mur, ulën flamurin amerikan dhe e zëvendësuan atë me një flamur islamik.

Raportet e mediave thonë se filmi rreth profetit Muhamed u financua nga anëtarët e grupit të mërgimtarëve kopt të krishterë të Egjiptit. Nuk është ende e qartë nëse të dyja sulmet kanë qenë të koordinuara. (LajmeShqip.com)