Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 20:18

Tiranë – Ambasadori amerikan në Libi dhe tre anëtarë të personelit të ambasadës u vranë pasi një turmë sulmoi konsullatën amerikane në qytetin lindor të Bengazit mbrëmë vonë.

Ambasadori amerikan J. Christopher Stevens, një diplomat karriere në Departamentin e Shtetit  dhe një nga të dërguarit amerikanë më me  përvojë në rajon, e kishte marrë detyrën më pak se katër muaj më parë në Tripoli.

Presidenti Barack Obama me anë të një deklarate dënoi vrasjen e katër amerikanëve.
“Ata ishin shembulli më i mirë i përkushtimit të Amerikës ndaj lirisë, drejtësisë dhe partneritetit me vendet dhe popujt e gjithë globit dhe janë në kontrast të plotë me ata që  mizorisht u morën jetën”, shprehet Presidenti Obama në deklaratën e tij.

Ai e përshkroi zotin Stevens si një “përfaqësues kurajoz dhe model të Shteteve të Bashkuara” që e kishte kryer detyrën e tij me vetëmohim gjatë gjithë revolucionit në Libi.

Zëvendës kryeministri libian Mustafa Abu Shagour po ashtu e dënoi vrasjen e katër diplomatëve amerikanë, duke e quajtur një veprim burracak. Zoti Stevens, ishte një figurë e admiruar mes rebelëve libianë për mbështetjen e tij për kryengritjen e tyre që përmbysi Moammar Gadafi. Vrasjet ndodhën kur demonstruesit të indinjuar nga një film amator amerikan që fyente profetin Muhamed,    hapën zjarrr dhe i vunë flakën konsullatës amerikane në Bengazi.

Zëvendës ministri i brendshëm Wanis al-Sharif tha se ambasadori dhe tre
e zyrtarë të tjerë të ambasadës ishin vrarë, duke konfirmuar se zoti Stevens ishte në konsullatë kur ndodhi sulmi. Zëvendës ministri u tha gazetarëve se një grup i armatosur sulmoi ambjentin në një mision “pothuajse vetëvrasës”. Ai tha se misioni amerikan kishte përgjegjësi sepse nuk kishte marrë masat e duhura mbrojtëse.

                                 Reagime për sulmin

Kandidati republikan për President, Mitt Romney bëri një deklaratë, ku shprehte indinjatë për sulmin ndaj konsullatës amerikane në Bengazi. Ai e quajti sulmin skandaloz dhe të neveritshëm.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka dënuar ashpër sulmin ndaj Konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Bengazi të Libisë, ku ka humbur jetë ambasadori Kristofer Stivens dhe tre zyrtarë të tjerë. “Ky është një sulm që duhet të godasë ndërgjegjen e njerëzve të të gjitha besimeve në mbarë botën. Ne dënojmë në termat më të ashpër këtë akt të pakuptimtë të dhunës dhe dërgojmë lutjet tona për familjet, miqtë dhe kolegët e atyre që kemi humbur”, ka thënë Klinton.

Sipas saj, sulmi është kryer nga një grup “i vogël dhe i egër militantësh” dhe jo nga populli ose Qeveria e Libisë.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ashtu si edhe kreu i KB-së, Ban Ki-mun, kanë dënuar ashpër sulmin ndaj misionit të SHBA-së në Bengazi, në të cilin kanë humbur jetën ambasadori Christopher Stevens dhe tre zyrtarë të tjerë. Këshilli i Sigurimit dhe Ban kanë lëshuar deklarata të posaçme, të cilat dënojnë sulmin në “termat më të fuqishëm”, raporton Rel.

Organi 15-anëtarësh ka dënuar edhe sulmin ndaj ambasadës amerikane në Kajro. Të dyja sulmet kanë ndodhur si pasojë e zemërimit të turmave më një film anti-islamik.

Edhe Shqipëria e dënoi sulmin në Libi, duke e cilësuar si një akt terrorist dhe barbar. Presidenti Bujar Nishani i dërgoi një mesazh ngushëllimi Presidentit Obama. Akti u dënua edhe nga Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi sot një telegram ngushëllimi presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, me rastin e vdekjes së ambasadorit të SHBA-së në Libi, Christopher Stevens, dhe tre zyrtarëve të tjerë.“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, institucioneve të vendit dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet tona me rastin e humbjes së ambasadorit tuaj në Libi, z. Christopher Stevens, dhe tre zyrtarëve të tjerë, në sulmin ndaj ambasadës amerikane në Bengazi.Lutjet tona janë me familjarët e viktimave dhe popullin amerikan në këto momente të vështira”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Presidentin Obama për vdekjen e ambasadorit amerikan në Libi e ngushëlloi edhe kryeministri Hashim Thaçi.  ”Me pikëllim të thellë mësova lajmin për sulmin kriminal që ka ndodh sot ndaj konsullatës së SHBA-së në Bengazi, që mori jetën e ambasadorit Christopher Stevens si dhe të tre punonjësve tjerë të konsullatës.

Asgjë nuk mund të justifikojë një veprim të tillë. Këto akte të sulmeve kriminale ndaj ambasadave dhe personelit janë të patolerueshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe cenojnë rëndë paqen e bashkëpunimin midis popujve dhe kombeve të botës së civilizuar. Është e dhimbshme sidomos për faktin që një tragjedi e tillë po ndodh në një vend që sapo ka kaluar një periudhë të vështirë nën një regjim totalitar”, thuhet ndër të tjera në ngushëllimin e Thaçit. (LajmeShqip.com)