Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 22:05

Tre muaj pas përfundimit të sundimit 42 vjeçar të Muamar Gadafit, Këshilli Kombëtar Tranzitor i Libisë ka prezantuar qeverinë e re që do të drejtojë vendin. Përbërja e ekzekutivit ka për qëllim të zbusë rivalitetet mes fraksioneve në vend dhe të rivendosë stabilitetin.

“E gjithë Libia përfaqësohet në këtë qeveri”-ka deklaruar kryeministri Abdurrahim El-Keib gjatë konferencës për shtyp ku prezantoi kabinetin e tij të ministrave. Kështu ministër i mbrojtjes do të jetë Osama Al-Juwali, komandanti i këshillit ushtarak të Zintanit, forcat e të cilit arrestuan djalin e Gadafit fundjavën që shkoi.

Ndërsa ministër i jashtëm, është emëruar Ashour Bin Hayal, një diplomat jo shumë i njohur nga Derna. Ndërsa ish kryeministri i përkohshëm Ali Tarhouni u emërua ministër i financave. Qeveria e përkohshme do të çojë vendin e pasur me naftë në zgjedhje për një kongres kombëtar deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm.