Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 16:11

Bengazi – Forcat e NATO-s sot hapën zjarr mbi një karvan me kryengritës libianë në afërsi të qytetit lindor Brega.

Mediat perëndimore, duke iu referuar burimeve të opozitës libiane, lajmërojnë për bilance të ndryshme të viktimave pas sulmit, të cilat lëvizin për “të paktën 13 të lënduar” deri në “më shumë se 10 të vrarë”.

Kryengritësit me gabim kanë hyrë në rajonin mes Bregës dhe qytetit lindor Axhdabia, ku paraprakisht Aleanca ka kryer sulme. Pilotët e aeroplanëve të NATO-s me siguri kanë menduar se ushtarët e opozitës janë forcat lojale të Moamer Gadafit, prandaj kanë hapur zjarr ndaj tyre.

Pas këtij sulmi, kryengritësit publikuan se do të ndërpresin t’u dërgojnë mbështetje nga Axhdabia forcave të tyre në Brega.

Ndërkohë, forcat e udhëheqësit libian Moamer Gadafit sot kanë arrestuar katër gazetarë në rajonin mes Bregës dhe Axhdabisë. Mes gazetarëve të arrestuar gjenden edhe korrespondenti i Agjencisë evropiane të lajmeve EPA dhe raportuesi nga Agjencia Informative Kombëtare e Spanjës EFE.