Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 07:41

Tripoli – Autoritetet libiane e armatosin popullatën civile me qëllim që të luftojë kundër operacionit tokësor të forcave të NATO-s, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë së liderit libian Moamer Gadafi dhe ministër i Informatave, Musa Ibrahim.

“Shumë qytete janë organizuar në aradha, që të luftojnë kundër invazionit eventual të NATO-s. E gjithë popullata ka marrë pushkë dhe armë të lehta zjarri. Nëse forcat e armatosura të NATO-s vijnë deri në Misrata ose në cilindo qytet tjetër libian, ferri do të hapet mbi kokat e tyre. Do jetë dhjetë herë më keq se Iraku”, u kanos Ibrahim.

Ai e dërgoi këtë kërcënim një ditë pasi Franca u premtoi kryengritësve libianë për përforcimin e sulmeve ajrore mbi forcat e Gadafit dhe se do të dërgojë oficerë për lidhje me kryengritësit.

Ibrahim theksoi se forcat e Gadafit kontrollojnë 80 për qind të qytetit perëndimor Misrata, në të cilin kryengritësi dhe civilët çdo ditë janë bombarduar nga forcat e regjimit. Sipas tij kryengritësit e kontrollojnë vetëm portin dhe rajonin përreth.

Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun ju bëri thirrje autoriteteve libiane t’i ndërpresin veprimet luftarake dhe ta parandalojnë vrasjen e njerëzve.

Ai shtoi se prioritet kryesor i KB-së është të sigurojë ndërprerjen e zjarrit.

“Më pas mund ta zgjerojmë ndihmën humanitare dhe të fillojmë politika të dialogut”, tha Ban Ki-mun gjatë vizitës në Moskë.