Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 13:19

Romë – Rreth 10 mijë njerëz janë vrarë dhe 50 mijë janë plagosur në Libi nga fillimi i konfliktit. Këtë në konferencë për shtyp e kumtoi sot ministri italian i Punëve të Jashtme, Franko Fratini i cili i referohet shefit të Këshillit libian kalimtar kombëtar, Mustafa Abdel Xhalil.

“Kryetari Abdel Xhalil na tha se viktimat nga regjimi i përgjakshëm në Libi janë 10.000 të vrarë dhe midis 50.000 dhe 55.000 të plagosur”, deklaroi Fratini.

Ai i ka premtuar përfaqësuesit libian se spitalet libiane mund të pranojnë libianë të plagosur rëndë. Javën e kaluar 25 libianë të plagosur janë transferuar me fluturim special në një spital në Lombardi.

Fratini shtoi se ekziston gatishmëri për t’i ndihmuar kryengritësve libianë me dërgim e mjekëve dhe infermiereve. Mjekët italianë punojnë në qytetin Misrata, i cili është nën rrethim të forcave të Gadafit.

“Në takimin e ardhshëm të kontakt-grupit për Libinë, i cili do të mbahet në javën e parë të muajit maj në Romë, do të shqyrtohet çështja për shitje të naftës libiane nga kryengritësit dhe të ardhurat me të cilat do të financohet lufta kundër Gadafit”, theksoi Fratini.