Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 11:30

Athinë- Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Kristin Lagard, u bëri thirrje dy partive udhëheqëse, të cilat për momentin janë në pushtet në Greqi – socialistja PASOK dhe konservativja Demokracia e Re, të përmbahen nga popullizmi dhe premtimet parazgjedhore duke pas parasysh zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend në fund të muajit prill ose në fillim të muajit maj, shkruan gazeta greke “Etnos”.

Në të njëjtën kohë kancelarja gjermane Angela Merkel në një intervistë për gazetën çeke i përshëndeti masat e fundit të miratuara për kursime, por përmendi se Greqia duhet të ecë edhe shumë rrugë, për ta tejkaluar krizën e tanishme.

Merkel gjithashtu theksoi se dalja eventuale e Greqisë nga Eurozona do të ketë pasoja eventuale edhe për vendet tjera. Eurokomisioneri për çështje ekonomike dhe monetare Oli Ren shfaqi brengosje në lidhje me zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë greke pas zgjedhjeve të ardhshme. (LajmeShqip.com)