Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 10:37

Romë – Vendet e ish-Jugosllavisё dhe Shqipëria paraqiten si një pus pa fund armësh për liderin e Libisë Muamar Gadafi, i cili është i gatshëm të paguajë çdo lloj shifre për armët që do t’i zgjasnin atij mbijetesën dhe mbajtjen e vendit në një luftë të stërgjatur civile.

Kështu shkruan e përditshmja prestigjoze italiane La Republica, në një artikull dedikuar kontrabandës së armeve nga Ballkani për në Libi dhe se si mafia po ndihmon Tripolin. Gazeta kujton njoftimin e së mërkurës të NATO-s, e cila deklaroi se kishte prova nga shërbimet inteligjente se fluksi ilegal i armëve në drejtim të Libisë është një aktivitet që vazhdon.

Duke cituar një burim të spiunazhit ushtarak, La Republica shkruan se Gadafi po lufton për të mbijetuar dhe ka një pasuri të jashtëzakonshme. Trafikantët e Ballkanit – serbë, shqiptarë, malazezë – janë në aktivitet të plotë dhe rrugët e Adriatikut janë të hapura, ndërsa çmimi i armëve të lehta në tregun e zi është dhjetëfishuar.

Për kolonelin, vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë si puse pa fund. Janë të freskëta nga luftërat dhe kanë rrjete trafiku, të cilat janë konsoliduar gjatë kohës dhe që përbëjnë thelbin e biznesit të një mafie të fuqishme dhe të dhunshme. Si gjithmonë vendin e parë në këtë treg e zënë armatimet kineze dhe ruse, “të privilegjuarat” që në këto javë mund të japin përgjigje të kënaqshme për nevojat e Libise.

Sidomos në Ballkan, rruga e zezë e armëve përmban të paktën një port, i cili nuk ka asnjë lloj kontrolli dhe është i denjë për famën që ka: qyteti Bar, ose Tivari, në Malit të Zi. Duke zbritur më në jug, përgjatë brigjeve shqiptare, portet e Durrësit dhe Vlorës, vlejnë pothuajse sa porti nё Bar.