Lajme Shqip Saturday, 24 March 2012 13:23

Banka Botërore bëri dje të ditur se në garën për kryetar të ri do të marrin pjesë tre kandidatë. 

Deri mbrëmë, kur skadoi afati i fundit për paraqitje, për njeri të parë të Bankës janë nominuar amerikani Xhim Jung Kim, kolumbiani Hoze Antonio Okampo dhe nigerianja Okonxho-Iveala.

Jung Kim, i cili është me prejardhje koreane, është propozim i SHBA-së dhe sipas presidentit amerikan Barak Obama, ai për më shumë se dy dekada ka punuar në përmirësimin e kushteve për jetesë në vendet në zhvillim.

“Koha është që një profesionist nga sfera e zhvillimit ta udhëheq agjencinë më të madhe zhvillimore botërore”, deklaroi Obama.

Republika Jugoafrikane për njeri të parë të Bankës botërore e propozoi ministren nigeriane të Financave Okonxho-Iveala, ndërsa ish-ministri i Financave të Kolumbisë, Okampo është propozim i Brazilit.

Pjesëmarrje në garë paralajmëroi edhe ekonomisti amerikan Xhefri Saks, por ai e ka tërhequr kandidaturën e tij pasi SHBA-ja e nominoi Jung Kimin, i cili sipas ekspertëve pothuaj me siguri do të zgjedhet si pasardhës i Robert Zelikut, në funksionin kryetar në Bankën Botërore.