Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 16:17

Kumanovë – Edhe më tej nuk mbahet llogari për hapjen e pikës kufitare mes Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës (Serbi) e cila është kërkesë e kahershme e banorëve të komunës së Likovës dhe Kumanovës po dhe Preshevës.

Ditë më parë, mes Maqedonisë dhe Serbisë është hapur një pikë kufitare që lidh Kriva Pallankën me pjesën serbe, e cila u bë në mënyrë ceremoniale midis ministrave të dyja shteteve, Gordana Jankullovska dhe Ivica Daçiq.

Banorët e Llojanit dhe Vaksincës për të shkuar në Miratoc dhe Preshevë, edhe pse e kanë afër vetëm ca kilometra, ata duhet të udhëtojnë deri në 70 kilometra respektivisht të shkojnë nëpër Kumanovë. Ata nuk mund as tokat t’i punojnë madje as ne raste vdekjeje të kalojnë këtë pikë kuftare.

Si në zgjedhje lokale ashtu edhe ato parlamentare shumë herë është premtuar se do të hapet pika kufitare mes Llojanit e Miratocës, por deri më sot asgjë konkrete nuk është ndërmarrë, pos premtimeve.

“Pika kufitare mes Llojanit e Miratocës nuk hapet se të gjithë janë shqiptarë. Nuk zgjerohet  rruga. Partitë politike shqiptare nuk angazhohen aspak. Qevria sikur e lë që të ketë probleme. Deri sa nga ana  e Miratocës rruga është e shtruar nga ana e Maqedonisë kanë mbetur edhe vetëm 750 metra dhe një gjë e tillë nuk mund të realizohet. Ndërkohë që distance mes këtyre vendbanimeve (Llojan-Moratoc) është vetëm 2.5 kilometra. Duhet të punohet dhe jo të premtohet”, ka thënë Agim Rrahmani, nga Llojani i cili për më se tri dekada ka punuar si mësues në fshatin Miratoc të Preshevës.

Ai ka shtuar se “kjo pikë kufitare ka marrë edhe jetën e tre njerëzve, njëri i moshës rinore  dhe një është plagosur dhe shumë të tjerë janë keqtrajtuar”.

Ditë më parë siç ka theksuar sekretari i komunës së Likovës, Nexhati Osmani hapjen me pikën kufitare mes Llojanit dhe Miratocës po e bllokon Serbia, ndërkohë qe me Kosovën qeveria është dukë bërë projektin i cili pritet të hapet gjatë këtij viti ose vitit tjetër.

“Qeveria është duke e përgatitur projektin Kumanovë-Sllupçan-Bellanoc (me Kosovën) i cili duhet të jetë gati bredna këtij viti ose vitit tjetër varësisht sa arrijnë ta bëjnë gati, ndërkaq sa i përket hapjes së kufirit me Preshevën , kjo pengesë po vjen nga Serbia”, ka thënë Nexhati Osmani.

Bëhet e ditur se procedurat për hapjen e këtyre pikave kufitare i takojnë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Nga kjo ministri bëjnë të ditur jo zyrtarisht, madje se punët administrative dhe ato plotësuese janë kryer, por se bllokadat po bëhen nga ana e Serbisë për kufirin Llojan-Miratoc.