Lajme Shqip Sunday, 24 July 2011 19:09

Kumanovë – Ish-kazerma e Kumanovës, e cila u shndërrua në objekt shkollor, ku i vijonin mësimet nxënësit shqiptarë të shkollës së mesme ekonomike, tani më një vit ballafaqohet me mos ekzistimin e saj si shkollë në komunën e Kumanovës. Përgjegjësi i kësaj shkolle ka thënë se nuk mund të konkurrojnë në projekte të ndryshme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ngase ende nuk kanë fletë pronësie.

“Nuk kemi të drejtë të konkurrojmë në asnjë projekt të MASH-it pasi që nuk kemi ende fletë pronësie, e cila është më se e nevojshme për të konkurruar në këto projekte. Gjithashtu kemi nevojë për rregullimin e oborrit të shkollës të cilën e ka premtua komuna, rregullimin e sallës se edukatës fizike e shumë gjëra të tjera që do të mund t’i rregullojë MASH-i me anë të projekteve që i financon, po fatkeqësisht që nga dalja jonë në këtë objekt ne ende nuk kemi letër pronësi”, ka thënë Skender Saiti, përgjegjës i shkollës së mesme ekonomike “Pero Nakov” në Kumanovë. Ai sqaron se nga MASH-i u thonë që është bërë pranim dorëzimi i objektit në komunë, kurse nga komuna u bëjnë me dije që ky objekt nuk njihet si shkollë. “Këto gjëra na i thonë që nga fillimi kur kërkonim të bëjmë kontratë për lidhjen e energjisë elektrike, pasi që për momentin jemi duke e shfrytëzuar rrymën nga kazermat e Kumanovës”, ka thënë Saiti. Për deri sa kjo shkollë nuk figuron si e tillë, MASH-i dhe Komuna ia hedhin përgjegjësinë njëra tjetrës. Nga MASH-i thonë që kompetencat për këtë objekt i ka komuna e Kumanovës. “Kjo shkollë është shkollë komunale andaj për marrëveshjen në lidhje me rrymën elektrike duhet ta bëjë komuna në këtë rast”, kanë thënë nga MASH-i. Ndërkaq nga komuna thonë që për këtë gjë duhet të kujdeset MASH-i. Ndërkaq, nxënësit e shkollës ekonomike në objektet e reja kanë filluar mësimin më 1 shkurt të vitit të kaluar, duke u larguar nga barakat ku kishin kushte mizore për mësim dhe detyroheshin të ndjekin ligjëratat në tre ndërrime.