Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 19:31

Kumanovë – Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut (IGFM), ka kërcënuar me grevë urie lidhur me proceset e montuara ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Greva do të realizohej në një afat prej 15 ditësh, në zyrat e IGFM-së në Kumanovë, ndërsa asaj njëkohësisht do t’i bashkëngjiten të gjithë të burgosurit e dënuar pafajësisht, si dhe familjarët e tyre nëpër vendbanimet tjera të Maqedonisë.

Së fundmi ata përmes një letre drejtuar Presidentit të shtetit, Kryeministrit, ministrit të Drejtësisë, gjykatave, Avokatit të Popullit dhe zyrës së BE-së, SHBA-së, OSBE-së, NATO-s, Gjykatës së Strasburgut, ka ngritur zërin për padrejtësitë ndaj shqiptarëve.

“Arsyet e protestës janë si vijon: rasti i Brodecit, rasti i Rexhail Qerimit, Opajës së Kumanovës, Agim Islamit nga Rashçja e Shkupit, dhe Almir Derlanjin nga Shkupi, pastaj rasti i Harun Aliut si dhe dënimet me burgim të përjetshëm të Ismail Etemit dhe Bashkim Bajramit, pastaj dënimet me burg të përjetshëm të Nehat Sulejmanit dhe Suad Jusufit nga Shkupi, rasti i Burhamedin Nuhiut, ai i Manastirit, rasti i Sopotit i Bajrush Sejdiut, presioni ndaj medieve, mosrregullimi i statusit të shqiptarëve pjesëmarrës në konfliktin luftarak të 2001-shit, diskriminimi në dhënien e shtetësisë së shqiptarëve të Maqedonisë, diskriminimi në arsim, kulturë dhe tjera”, thuhet në reagimin e IGFM-së, me nënshkrim të kreut të saj Idriz Sinani.

“Tani më një kohë të gjatë, IGFM-ja ka ngritur zërin. Kemi reaguar në të gjitha forumet e larta në vend dhe jashtë për këto padrejtësi, por fatkeqësisht deri më tani zëri ynë ka hasur në vesh të shurdhër. I kemi informuar edhe organet më të larta të drejtësisë ndërkombëtare, siç është Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg. Konsiderojmë se Maqedonia, si nënshkruese e të gjitha konventave për të drejtat e njeriut, konventës për gjykim të drejtë dhe mosdiskriminim, të njëjtat deri më tani nuk i ka respektuar kur kanë qenë në pyetje shqiptarët, të cilët edhe më tej vazhdojnë të dënohen, madje edhe me dënime të përjetshme”, thuhet në komunikatën e IGFM-së. (LajmeShqip.com)