Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 20:56

Kumanovë – Dramë e përgjakur familjare ka ndodhur pasditen e të shtunës në Kumanovë. Tridhjetë e katër vjeçari Trajan Stojçevski me pistoletë ka vrarë bashkëshorten e tij, 27 vjeçaren Gordana S. e pastaj edhe 47-vjeçarin Marjan D. në banesën e tyre në rrugën “Dragan Stopareviq” në Kumanovë. Derisa bashkëshortja e tij ka përgatitur valixhet që ta braktis, ndërsa i afërmi i saj i ka ndihmuar, kumanovari në gjendje të dehur ka hyrë në banesën e tyre dhe me revole ka vrarë që të dytë. Gruaja e tij ka vdekur në vendngjarje, ndërsa Marjan I. i është nënshtruar lëndimeve në spitalin e Kumanovës. Komshitë së pari kanë dëgjuar zënkë, pastaj të shtëna arme. Vrasja e dyfishtë ka ndodhur në prani të bebes së tyre tetë muajsh.

“Nuk di, nuk kam hip lartë të shoh se në çfarë gjendje gjenden njerëzit. Ne jemi kujdestar në gjykatën e Kumanovës. Vrasësi është në stacionin policor. I njoh, ama shumë pak”, ka thënë një banor kumanovar.

Dëshmitarët okularë, prapa kulisave thonë se dy bashkëshortët një kohë të gjatë kanë pasur zënkë e cila sot morri epilogun e përgjakur. Stojçevski pas vrasjes së dyfishtë e ka hedhur revolen të cilën e ka poseduar me leje dhe ka dalë në ballkon për të pirë cigare! Është arrestuar menjëherë nga ana e policisë. Bebja e tyre tetë muajsh me siguri do t’u dorëzohet shërbimeve sociale. Ndërkohë, sipas informatave të fundit, policia ende nuk ka përfunduar bisedën informative të vrasësit.

Pritet që atij gjatë ditës t’i shqiptohet masë e paraburgimit. Ndryshe, përveç bebes tetëmuajshe, pas kësaj drame familjare, pa nënë kanë mbetur edhe dy fëmijët e vegjël të Gordanës, nga martesa e parë.