Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 09:43

Beograd – Beogradi zyrtar e ka formuar ekipin për zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, së shpejti pritet të miratohet edhe Platforma për Kosovën, kurse në krye të grupit punues do të jetë shefi i ekipit për dialog, Dejan Paviqeviq.

Qeveria e Serbisë, në përpjekjet për t’i përmbushur kushtet e përafrimit në BE, e ka formuar grupin e punës për zbatimin e marrëveshjes për kontrollin e përbashkët të kufirit me Kosovën, siç i quan Beogradi “vendkalimet kufitare”, i cili do të drejtohet nga shefi i ri i ekipit për dialog me Prishtinën, Dejan Paviqeviq.

Sikurse ka konfirmuar sekretari i Qeverisë serbe për gazetën “Veçernje Novosti”, Veljko Odalloviq në atë grup, i cili së shpejti duhet të takohet me përfaqësuesit e Prishtinës dhe të administratës së Brukselit, do të jenë ekspertët nga ministritë e policisë, mbrojtjes, bujqësisë, drejtorisë së doganave.

Ata do të përpiqen të merren vesh me institucionet e Kosovës dhe BE-në, si të zbatohen në terren marrëveshjet e arritura e që njëkohësisht, të respektohet edhe legjislacioni i Serbisë.

“Pasi që edhe pala jonë pranon se zgjidhjet e arritura nga shkurti i këtij viti nuk janë sa duhet të volitshme, ky grup do të mundohet që në tryezën negociatore të arrijë zgjidhje sa më të mira”, ka thënë ai.

Njëkohësisht, mëson gazeta “Novosti”, puna në hartimin e Platformës shtetërore për Kosovën po intensifikohet pas kthimit të presidentit të Serbisë nga Nju Jorku, transmeton RTK-ja.

Mirëpo, marrëveshjet midis partnerëve në pushtet janë që në opinion të mos dilet me kurrfarë hollësie lidhur me planin e ardhshëm për Kosovën, veçse kur versioni punues i platformës të jetë gati ai njëkohësisht t’i dërgohet parlamentit, qeverisë, të gjitha partive dhe institucioneve më të rëndësishme kombëtare që rreth saj ta japin mendimet dhe sugjerimet e veta.(LajmeShqip.com)