Lajme Shqip Tuesday, 04 December 2012 09:00

Bruksel – Në Bruksel është arritur pajtimi për çështjet lidhur me Marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të kufijve (IBM) Kosovë-Serbi, e cila duhet të fillojë së zbatuari me 10 dhjetor, raportojnë mediat serbe.

Shefi i Grupit serb për implementimin e kësaj Marrëveshjeje, Dejan Paviçeviq, ka thënë për B92, se nuk duhet pritur ndryshime të mëdha në pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe Merdar, ku fillimisht do të  nis të aplikohet regjimi i ri. Ai tha se është arritur pajtimi për funksionimin e doganës dhe ka shtuar se doganimi i mallrave nuk do të bëhet në Jarinje dhe në Merdar.

“Jemi marrë vesh që malli të mos doganohet në pikëkalimet e kufirit, por në terminalet doganore në brendësi të territoreve”, ka deklaruar Paviçeviq.

Ai ka sqaruar se kjo do të thotë që malli që del nga Kosova të doganohet në terminalet në Nish, apo Vranje, ndërsa malli që hyn në Kosovë të doganohet në terminalin në jug të Mitrovicës.

Paviçeviq ka shtuar se doganierët e EULEX-it, të Serbisë dhe të Kosovës në pikëkalimet kufitare vetëm do të kontrollojnë dokumentet, por nuk do të doganojnë mallrat.

Në Bruksel është arritur, poashtu, marrëveshje për rolin e ardhshëm të EULEX-it, prezenca e të cilit, sipas fjalëve të Paviçeviqit,  do të jetë “e barabartë me prezencën e policëve të Serbisë dhe policëve të Kosovës”. Ai ka theksuar se “në pikalimet kufitare në Jarinje dhe në Merdar nuk do të ketë kurrfarë simbolesh shtetërore.(K.N)