Lajme Shqip Monday, 07 January 2013 19:07

Ankara – Mundësia që Greqia të dorëzojë në OKB koordinatat e Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive (EEZ), të përcaktuara në mënyrë të njëanshme, shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Turqisë, e cila dërgon paralajmërime dhe kërcënime për Athinën.

Pa kaluar 48 orë nga publikimi i këtij lajmi, ministri i Jashtëm turk dhe ai i Energjisë, kanë bërë thirje që Greqia të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm duke kujtuar se nëse kjo ndodh, atëherë edhe Turqia do të ndërmarrë hapat e veta. 

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu tha se në kohë të tilla kritike duhet të shmangen hapat e njëanshëm, ndërkohë që së fundi ekziston një atmosferë pozitive mes Turqisë dhe Greqisë. “Në këto kushte është e rëndësishme që hapat të ndërmerren bashkërisht dhe përmes konsultimeve. Gjithkush e di qëndrimin kombëtar të Turqisë. Në një rast të tillë, dhe Turqia do të marrë hapat përkatëse. Por shpresoj se nuk do të nevojitet një gjë e tillë. Tashmë ekziston në një mekanizëm bashkëpunimi me Greqinë”, deklaroi ai. 

Për të njëjtën çështje, ministri turk i Energjisë Taner Yildiz, paralajmëroi Greqinë duke kujtuar gjendjen ekonomike në cilën ndodhet ajo. “Unë nuk mendoj se vendi fqinj, që po përballet me shumë vështirësi ekonomike, do të hapë fusha të reja të procesit gjyqësor. Pasi këtë nuk e bën Turqia me një ekonomi që lulëzon, nuk mendoj se do ta bëjë Greqia, e cila është në krizë ekonomike. Turqia nuk është duke planifikuar për të punuar në zonat e diskutueshme e Egjeut. Ne kemi bërë hapa pozitivë për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe kemi në plan që t’i vazhdojmë ato”, tha Yildiz. 

Vetëm dy ditë më parë gazeta e madhe greke “To Vima” publikoi lajmin se Greqia po sheh mundësinë për të paraqitur në OKB koordinatat e kufijve detarë dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, të përcaktuara në mënyrë të njëanshme prej saj. Sipas gazetës, ky variant mbështetet edhe nga kryeministri Samaras dhe raporti ka gjasë të dërgohet në OKB në muajt e parë të vitit 2013. Në shkrim paralajmërohej se ky veprim i njëanshëm mund të shkaktonte një “episod të nxehtë” me Turqinë dhe reagime të vendeve të tjera, me të cilat Greqia nuk i ka zgjidhur çështjet e zonave ekonomike ekskluzive, si Egjipti, Libia, apo edhe Shqipëria.. 

Ashtu siç pritej, Turqia reagoi menjëherë, ndërsa nuk ka asnjë reagim nga vendet e tjera, të cilat preken në rast të këtij veprimi të njëanshëm.(LajmeShqip.com)